Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për medie ka njoftuar se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vlerësuar punimet e djeshme të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
LDK-ja vlerëson të gjitha nismat që kanë qëllim trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të rajonit tonë. Në këtë frymë, LDK-ja çmon lart përkushtimin e Gjermanisë dhe të Francës për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadrin e BE-së.
“Integrimi euro-atlantik i Kosovës, si dhe miqësia e speciale dhe e përhershme me ShBA-të janë procese të pashmangshme dhe ekzistenciale për vendin tonë. LDK-ja thekson se orientimi properëndimor i Kosovës është thelbësor për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë”, shkruhet në komunikatë.
LDK-ja përmes komunikatës ka shprehur shqetësimin e thellë për qëndrimin jounik të përfaqësuesve të Kosovës në Samitin e Berlinit. LDK-ja konsideron se qëndrimi jounik reflekton joseriozitet dhe është në dëm të interesit të vendit tonë.
LDK-ja ka kërkuar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.
“LDK-ja thekson edhe një herë se sovraniteti i Republikës së Kosovës, kufijtë e saj dhe karakteri unitar i shtetit janë të paprekshëm. Pavarësia e Kosovës është finalizuar me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, si dhe me Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, përundpn komunikata.