Subjekti më i madh opozitar Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, ka akuzuar Ekzekutivin e komunës për presione dhe ndërhyrje politike ndaj zyrtarëve në institucione publike në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky subjekt pretendon se qeverisja aktuale e Ferizajt po prodhon dokumente zyrtare joligjore me qëllim të realizimit të objektivave të veta.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka gati përgjigjen profesionale në lidhje më ndërrimin e lokacionit për ndërtimin e spitalit të Ferizajt, porse kabineti i ministres Albena Reshitaj nuk ka lejuar që ajo të bëhet publike. Kjo çështje ka nxitur reagime të ashpra edhe në mbledhjen e fundit të KK-së.
LDK-ja po e akuzon Ekzekutivin e Ferizajt se po i detyron zyrtarët në institucione publike të bëjnë shkresa zyrtare për t’i arritur qëllimet e veta, siç është rasti i kërkesës së FSK-së për ridestinimin e parcelës së varrezave të qytetit nga fshati Balaj në Fshatin e Vjetër. LDK-ja ka bërë të ditur se tashmë ka siguruar vendimin e MMPH-së në lidhje me ridestinimin e parcelës së spitalit, të cilin e kanë bërë publike para këshilltarëve në mbledhjen e fundit të KK-së.