LDK-ja gjobitet me 2000 euro për shkeljen e masave anti-COVID në tubimin në Prizren

Prizren | 05 Shk 2021 | 19:07 | Nga Ekonomia Online

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren është gjobitur me 2 mijë euro nga inspektorati për shkak të shkeljes së masave anti-COVID në tubimin e mbajtur të premten në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”.

Drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Edon Muçaj ka njoftuar për gjobitjen e këtij subjekti politik përmes rrjeteve sociale.

“Në bazë të Ligjit 07/L-006 dhe Vendimeve të Qeverisë jemi të obliguar të veprojmë për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës! 2,000 euro gjobë për subjektin politik LDK”, ka shkruar ai.

Image

Ditë më parë, për shkak të shkeljes së masave anti-COVID në tubimet e tyre përkatëse janë gjobitur edhe dega e AAK-së dhe ajo e PDK-së, me nga 2,000 euro.

Komuna e Prizrenit kishte njoftuar se “gjobat do të shqiptohen vetëm me daljen e inspektorëve në vendngjarje”.

Ambasada Britanike në Kosovë të enjten ka reaguar ndaj tubimeve të partive politike në fushatën për zgjedhjet parlamentare, pa respektuar masat kundër koronavirusit. Në reagimin e saj, Ambasada ka kërkuar nga subjektet politike dhe mbështetësit e tyre që të mbajnë tubime duke respektuar masat anti-COVID. “Këto zgjedhje janë të rëndësishme por disa pamje që kemi parë së fundmi me tubime të mëdha pa distancë sociale janë shqetësuese. Kërkojmë nga të gjitha partitë dhe mbështetësit e tyre të respektojnë masat kundër COVID-19 tani që fushata ka nisur zyrtarisht”, thuhet në reagim.(Koha)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme