Shefi i grupit parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar një rezolutë në lidhje me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Hoti tha se Qeveria duhet të plotësoje dhe ndryshojë koncept-dokumentin për ligjin për lojërat e fatit dhe këtë ta sjellë në kuvend me të cilin ndalon kazinotë për një periudhë 10-vjeçare.
Hoti tha se kjo rezolutë duhet të votohet pa pasur debat në respekt të ngjarjeve tragjike që kanë ndodhur
“Është bërë e qartë se lojërat e fatit janë ambiente ku dhunohen dhe vriten qytetarët dhe është bë e qartë se këto raste nuk janë të izoluara. Askush nuk pasurohet nga këto biznese përveç pronarëve të tyre. Askush nga ju nuk e njihni një person që është i pasur nga këto lojëra. Këto lojëra janë zhvatje e qytetarëve”, tha Hoti, raporton Ekonomia Online.
Hoti tha se është dyfishuar numri i batoreve të licencuara. Sipas tij, Kosova po shndërrohet në kazino.
“Ka dyfish më shumë bastore se që janë të licencuara. Janë mbyllur 301 lokale dhe mbi 700 gjoba. Të hyrat doganore gjatë 2018 kanë qenë 16 milionë euro. A duhet ne ta shndërrojmë Kosovën në kazino. Këto 16 milionë euro janë të ardhurat e fundit të familjeve”, u shpreh Hoti.
Sipas shefit të GP të LDK-së, në kazino po lihet fati i njerëzve.
“Ajo që dijet për këto biznese është se plot familje në Kosovë kanë humbur gjithçka që kanë pasur. Në kazino lihet me fatin e njerëzve. Në kazino me fat janë vetëm mashtruesit. Shteti nuk mund ë përmirësojë imazhin e vendit siç pretendon qeveria me koncept dokumentin për lojërat e fatit. Vetëm një qeveri me mentalitet kazinoje mund të paramendojë diçka të tillë.
Rezoluta e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i kërkon Qeverisë menjëherë të pezullojë aktivitetin e të gjitha llojeve të kazinove dhe lojërave të fatit deri në plotësim-ndryshimin e ligjit përkatës dhe Kuvendi të mandatojë Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa që të nisë procedurat për nxjerrjen e ligjit të ri që i ndalon të gjitha llojet e kazinove dhe lojërave të fatit për një periudhë dhjetë vjeçare.