Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selmanaj, ka folur lidhur me raportin financiar të dy kompanive nga Prizreni të cilat raportuan para këtij komisioni, atë të ujitjes “Drini i Bardhë” dhe “Hidroregjioni Jugor”, raporton Ekonomia Online.
Selmanaj tha se LDK-ja kërkon shkarkimin menaxherial të këtyre kompanive.
“Zyra Kombëtare e Auditimit po shpërfaqë keqmenaxhimin e parasë publike që po bëhen nga ndërmarrjet publike. Vlerësimi që ZKA i ka dhënë për këto dy institucione, janë ndër më negativët. Të dy rastet na dëshmojnë që këto dy institucione raportet e tyre financiare nuk i kanë në përputhje me standardet e kontabilitetit. Sipas vlerësimit tonë, ne do të kërkojmë nga Qeveria që gjithë stafin menaxherial të këtyre kompanive t’i shkarkojë dhe të marrë nën administrim këto dy kompani”, tha Selmanaj.