LDK-ja kërkon sqarime, përndryshe nuk e mbështet Ligjin për pagat

Prishtinë | 22 Dhj 2022 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Ligji për pagat nuk e adreson në tërësi çështjen e rritjes së inflacionit.

Ajo ka thënë se mbetet e paqartë se kur do të hyjë në fuqi ky ligj.

“Ka ngritje për disa kategori të caktuara. Kjo bëhet më skandaloze kur lexohet ligji ku thuhet se vlera monetare e koeficientit do të vendoset me ligjin për buxhetin. Ligji për buxhetin ka kaluar dhe nuk është përcaktuar shuma. Nëse votohet sot ky ligj kur do të hyjë në fuqi? Nëse votohet sot i bije që publikohet në gazetë zyrtare brenda këtij viti e hyn në fuqi më 1 shkurt. Por si e ka paraparë Ministri i Financave përcaktimin e koeficientit a do ta sjellë sërish në kuvend ligjin për buxhetin ende pa u bërë shpërndarja e mjeteve apo si. Pra është e paqartë se kur ky ligj do të hyjë në fuqi”, tha ajo.

Bajrami ka shtuar se duhet të ketë një koeficient bazë. Ndërsa ka deklaruar se ligji ka mangësi për policët dhe disa kategori të tjera.

Ajo ka kërkuar sqarime mbi vlerën e koeficientit, hyrjen në fuqi të ligjit e pagat, dhe ka deklaruar se pa këto sqarime LDK-ja nuk do ta mbështesë Ligjin për pagat.

“Paga e zyrtarëve publikë asnjëherë nuk do të dihet sa do të jetë vitin tjetër sepse ka mbetur subjekt i një vendimi të Qeverisë. Ne e kemi propozuar edhe në Komision por asnjë amandament i opozitës nuk është votuar. Gjëra të tilla s’kanë ndodhur asnjëherë në historinë e Kuvendit. Ky ligj lë shumë për të dëshiruar për policët, fakultetin e mjekësisë, shërbimin korrektues. Janë dëmtuar auditorët e brendshëm të cilëve u preket paga për rreth 45%. Shumë të meta që u votuan në Ligjin për zyrtarët publikë do të reflektohen në këtë ligj. Sot i nderuar kryeministër është mirë të sqaroheni me ministrin e financave dhe të na jepni një përgjigje se kur ky ligj do të hyjë në fuqi kur do ta caktoni vlerën monetare të koeficientit dhe a është e logjikshme që pagat në sektorin publik të lëvizin vit pas viti. Pa u adresuar këto çështje na vjen keq por nuk mund të japim mbështetje për këtë ligj”.

Të ngjashme