Degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Beneluks, gjatë një pritje që i kanë bërë në Bruksel kandidatit për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, i kanë dhënë përkrahje të fuqishme për fitore në zgjedhjet e 11 qershorit.
Degët e LDK-së në Beneluks njëzëri janë pajtuar se kandidatura e Avdullah Hotit është e vetmja që garanton zhvillimin e Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat Veriatlantike.
Përfaqësuesit e diasporës në Beneluks kanë thënë se Kosova ka nevojë për një kryeministër të ri, sikur Hoti, i cili ka dëshmuar se si përgatitja akademike dhe përvoja profesionale mund të përkthehet në shërbim ndaj shtetit, institucioneve dhe qytetarëve.
Gjatë këtij takimi Hoti ka prezantuar para degëve të LDK-së dhe diasporës tonë planin e tij për sundim të ligjit, integrimin e vendit në BE, zhvillim ekonomik dhe krijimin e kushteve për diasporën tonë për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë.
“Diaspora kosovare ka dhënë kontribut të rëndësishëm në të gjitha fazat e zhvillimit dhe ndërtimit të shtetësisë së Kosovës dhe tani është një urë lidhëse ndërmjet vendit të tyre të origjinës dhe shtetet në të cilat jetojnë. Diaspora edhe sot është kontribuues shumë i rëndësishëm për zhvillimin tonë ekonomik, nëpërmjet remitancave dhe investimeve në sektorët të ndryshëm ekonomik”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se nëpërmes reformave fiskale qeveria e re do të krijojë lehtësira të mëdha për inkurajimin e investimeve nga bashkatdhetarët tanë.