Së shpejti pritet që LDK-ja të tregojë se si kanë votuar anëtarët e Këshillit të përgjithshëm në lidhje me nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër, raporton Ekonomia Online.
Anëtarët e KP-së të LDK-së, kanë pasur afat që deri në ora 12:00, të deklarohen a e përkrahin Hotin për kryeministër.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar miratimin e Këshillit të partisë rreth të propozuarit për kryeministër, Avdullah Hotit.
Këshilli i LDK-së përmes postes elektronike, për shkak të gjendjes së krijuar nga virusi Covid 19, do të votojë për kandidatin për kryeministër, që e zgjodhi dje kryesia e partisë.
Anëtarët e Këshillit kanë marrë letrën të enjtën dhe patën në dispozicion një ditë për të dërguar përgjigjet e tyre.
Ky këshill ditë më parë e ka miratuar edhe vendimin e kryesisë për koalicion me AAK-në, Nismën, AKR-në dhe partitë e minoriteteve në Kuvend.
LDK e ka zgjedhur të enjten Avdullah Hotin kandidat për kryeministër, me kërkesë të Presidenit Hashim Thaci për dërgimin e një emri për ta mandatuar që ta formojë Qeverinë e re, pasi Thaci konsideroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk e shfrytëzoi të drejtën si parti fituese.