Lidhja Demokratike e Kosovës e ka thirrur Këshillin e Përgjithshëm që të mblidhet të martën e javës së ardhshme.
AktivPress mëson se në rënd të ditës së kësaj mbledhjeje do të jenë dy pika të specifikuara, pos asaj ku mund të hapen tema të ndryshme.
Pika e parë ka të bëjë me vlerësimin e rezultateve të zgjedhjeve, ndërsa e dyta konsiston në përgatitjet për zgjedhje lokale.
Anëtarë të këtij trupi i kanë thënë gazetës se gjatë mbledhjes pritet të kërkohet llogari nga strukturat drejtuese të partisë, përkatësisht nga lideri Isa Mustafa, për humbjen në zgjedhjet e fundit parlamentare.
LDK, dikur si partia më e madhe në vend, në zgjedhjet e 11 qershorit u rangua në vendin e tretë.
“Në mesin e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm ka pakënaqësi me gjendjen në të cilën ka rënë partia. Është shumë e pritshme që dikush nga ta të kërkoj edhe dorëheqjen e Mustafës”, ka thënë për AktivPress njëri prej anëtarëve të këtij këshilli.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, një ditë më herët ka përquar një mesazh për ata që tregohen kritikë.
“Manipulues dhe kalkulantë të llojit të vet i konsideroj edhe ata individë të LDK-së që kërcënojnë se do të dalin në rrugë nëse mandati nuk i jepet një partie tjetër, e të cilët kurrë nuk e bënë ndonjë deklaratë të tillë për rastin nëse nuk do t’i jepej mandati LDK-së, ose kur njerëzit e LDK-së sulmoheshin dhe atakoheshin në mënyrën më shtazarake”, ka shkruar Mustafa.
Sipas tij, ata nuk duan ta shohin se asnjë subjekt në këto zgjedhje nuk është fitues.