Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se shpenzimet e milionave euro për lobim për Interpol e kanë bërë shtetin e Kosovën një vend që ka humbur besimin e partnerëve euroatlantik.
Doruntina Maloku në emër të grupit parlamentar të LDK-së tha se degradimi i Kosovës ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes së vendit, raporton Ekonomia Online.
“Shpenzimet e miliona eurove në lobimin për Interpol e kanë bërë shtetin e Kosovës një vend që ka luajtur besimin e partnerëve euroatlantik. LDK si parti me traditë ne respektimin e vlerave ka bërë gjithçka për të ruajtur balancet e shteteve dhe të ruaj partneritetin me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara. LDK nuk i ka vendosur interesat politike para qytetarëve te Kosovës, kjo është dëshmuar në përkrahjen e gjitha marrëveshjeve në të mirën e qytetarëve”, ka thënë deputetja Maloku.
Sipas saj, Presidenti në vend se të jetë garancë e integritetit territorial , ai po bënë të kundërtën ku ka futur në pazar vendin si pasoj e njohjes së Serbisë.
Ajo ka folur edhe për dëbimin e gjashtë shtetasve turq muaj më parë nga Kosova.
“Si mund të besojmë se Kosova do të pranohet në Interpol ku muaj më parë u kidnapuan disa persona nga Kosova pa asnjë procedurë”, tha ajo.