Kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, vizitoi Hanin e Elezit ku mbajti një tubim elektoral në Qendrën e Kulturës “Imri Curri”, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit kombëtar për të kapërcyer sfidat me të cilat përballet vendi.
Ai ka thënë se LDK-ja është një forcë politike që gjithmonë ka qëndruar në anën e drejtë të historisë.
“Sot, nga Hani i Elezit, fillojmë një udhëtim që nuk synon vetëm fitoren elektorale, por edhe integrimin evropian. Për një Kosovë ku flitet për paqe, e jo një Kosovë ku flitet për luftë. Kosova nuk ka kohë për të humbur,” tha Abdixhiku.
Ai tha se krijimi i një klime mirëbesimi mes qytetarëve është urgjent.
“LDK di dhe mundet. Duhet të punojmë së bashku për një të ardhme të ndershme, të lirë dhe të drejtë,” përfundoi ai.