Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka mbajtur sot takim me kryetarë të degëve të LDK-së.
Sipas një komunikate të lëshuar pas takimit, të gjithë kryetarët e degëve mbështetën qëndrimin e kryesisë së LDK-së, se institucionet nuk kanë legjitimitet dhe vendi është në krizë institucionale.
“Të gjitha degët e LDK-së e konfirmuan qëndrimin se procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucione jolegjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese”.
LDK thotë se është e gatshme të udhëheqë këtë proces të rëndësishëm pas legjitimimit qytetar në zgjedhjet e reja.
“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për medie.
LDK thekson se do të punojë në terren për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të cilat do të nxjerrin një qeveri legjitime.