Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar mbështetjen e Francës për proceset eurointegruese të Kosovës dhe proceset tjera në të cilat po kalon vendi.
Deputetët e LDK-së, Armend Zemaj, Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku këtë kërkesë ia bënë drejtoreshës së Departamentit për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Florence Mangin.
Në një njoftim të LDK-së thuhet se këta deputetë falënderuan Manginin për bashkëpunimin e Francës me Kosovën deri tash dhe e kanë njoftuar atë për situatën aktuale politike në vend. Në veçanti, thuhet se LDK-ja ka theksuar sërish qëndrimin e vet për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas njoftimit, Mangin ka shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror.