Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj presidentit të vendit Hashim Thaçi i cili ka paralajmëruar nisjen e turneut nëpër shkolla të vendit për t’i vizituar nxënësit dhe mësimdhënësit. Ky subjekt vlerëson se kjo përpjekje e tij për t’i dalë në ndihmë fushatës së koalicionit të mesnatës, për krijimin e të cilit, një rol të rëndësishëm ka luajtur ai.
Ata kanë kërkuar që për për të mos e degraduar tërësisht këtë institucion, presidenti Thaçi, të heqë dorë nga turneu i tij parazgjedhor nëpër shkollat e Kosovës.
Sipas tyre praktikat e mëhershme të trajtimit të padinjitetshëm të mësimdhënësve nëpër fushata zgjedhore, sikur rasti në balotazhin për kryetar të Komunës së Drenasit, të aplikuara nga Thaçi, kanë dëmtuar reputacionin e institucionit të Presidentit të Republikës.
Këtë kërkesë e bëjmë për të evituar shkeljen kushtetuese, të cilën do të ishim të detyruar ta adresonim, thuhet në komunikatën e LDK-së, dërguar medieve.
Ata vlerësojnë se më shumë sesa për fushatën e tij mbështetëse ndaj koalicionit të mesnatës, mësimdhënësit kanë nevojë të përqendrohen në përmbylljen me sukses të vitit shkollor.
Duke qenë të përkushtuar për ta mbështetur reformimin dhe forcimin e sistemit arsimor, të degraduar nën menaxhimin e Thaçit si ish-kryeministër dhe bashkë partiakëve të tij në koalicionin e mesnatës, ne u bëjmë thirrje të gjithë garuesve në këto zgjedhje ta lënë arsimin dhe mësimdhënësit të qetë nga diktatet partiake.
Ne ju bëjmë thirrje oponentëve tanë politikë, duke përfshirë edhe Thaçi si i rreshtuar kah koalicioni i mesnatës, që të mos keqpërdorin taksat e qytetarëve për qëllime elektorale.
Në programin tonë për arsimin, ne ofrojmë zgjidhjen për rritjen e cilësisë së arsimit dhe garantojmë se rezultatet e testit PISA do t’i takojnë të kaluarës.