Pas zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën me 11 qershor, me 22 tetor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet lokale.
Tashmë partitë politike kanë filluar me publikimin e kandidatëve për kryetar të secilës komunë.
Kur bëhet fjalë për garën për kryetar komune, vëmendjen më të madhe e merr Komuna e Prishtinës, si komuna më e madhe dhe si kryeqytet.
E për këtë komunë jo të gjitha partitë kanë publikuar kandidatët e tyre.Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje do të jetë kandidat kryetari aktual, Shpend Ahmeti, AAK ka vendosur që ta nominojë Arbër Vllahiun.
Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka disa emra, por ende nuk ka vendosur se kë.
Agim Gashi nga kjo parti, ka thënë se për gazetën “Bota sot” se janë katër emra në garë për kandidat ëpr kryetar të Prishtinës, por që LDK do ta bëjë publik vendimin të hënën.
“Të hënën do të publikohet kandidati për kryetar të Prishtinës. Janë disa emra. Është Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Arban Abrashi dhe Ismet Beqiri. Por të hënën do të bëhet publike nga LDK se kush do të jetë”, ka thënë Gashi për “Bota sot”.
Në anën tjetër, Lirak Çelaj është përfolur si kandidat i mundshëm nga PDK-ja, por i pyetur nga “Bota sot” në lidhje me këtë, ai ka nuk ka kthyer përgjigje.
Të mos përgjigjen kanë vendosur edhe Nisma për Kosovën, duke mos treguar nëse do të garojnë të vetëm apo në koalicion me AAK-në.
Kujtojmë që data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale ishte caktuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në përputhje me vendimin e tij dhe legjislacionin në fuqi.