Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një komunikate për medie ka thënë se koalicioni PAN, në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2017, ka nënshkruar memorandum me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës me premtimin për rritje të pagave.
Sipas tyre, Qeveria e PAN-it në fillim të mandatit i rriti pagat kundërligjshëm vetëm për Kryeministrin, për pesë zëvendëskryeministrat, për ministrat, për 80 zëvendësministrat, për mbi 200 këshilltarët e tyre dhe njerëzit e tjerë të afërt me ta.
Komunikata e plotë:
Koalicioni PAN, në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2017, ka nënshkruar memorandum me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës me premtimin për rritje të pagave.
Ndërkaq, Qeveria e PAN-it në fillim të mandatit i rriti pagat kundërligjshëm vetëm për Kryeministrin, për pesë zëvendëskryeministrat, për ministrat, për 80 zëvendësministrat, për mbi 200 këshilltarët e tyre dhe njerëzit e tjerë të afërt me ta.
Pas këtij vendimi, në fillim të vitit 2018, me të drejtë kirurgët në Shërbimin Spitalor hynë në grevë. Ministri Ismaili u premtoi grevistëve se më së largu në qershor 2018 do rriten pagat edhe për ta. Dhe nëse kjo nuk do të ndodhte, Ministri Ismaili ishte shprehur se ai vetë do t’i bashkohej grevës.
Tani jemi në përmbyllje të vitit 2018. Pagat nuk janë rritur për punëtorët shëndetësorë, ndërkaq Ministri Ismaili nuk është pjesë e grevës, dhe as nuk ka dhënë dorëheqje.
Ligji për pagat u miratua në Kuvend në lexim të parë, por buxheti për 2019 nuk parasheh rritje.
Prandaj, punëtorët shëndetësorë me të drejtë kërkojnë mbajtjen e premtimeve dhe realizimin e të drejtave të tyre.
Ligji i ri i pagave, nëse miratohet në lexim të dytë siç është tani, do të rrisë më tutje pabarazitë në paga në sektorin publik. Parimi “pagë e njëjtë për punë të njëjtë” nuk është respektuar në strukturën e pagave në sektorin publik. Si i tillë, ky ligj nuk duhet të kalojë në lexim të dytë, por të kthehet në diskutim me punëtorët shëndetësorë, arsimtarët, policët, shërbimin civil dhe kategoritë e tjera të të punësuarve në sektorin publik.
Ne shprehim keqardhje për gjendjen në shëndetësi, ku shumë pacientë nuk mund të marrin shërbimet e nevojshme në spitalet publike. Për çdo përkeqësim të situatës përgjegjës mbetet koalicioni PAN.