Deputetët e LDK-së kanë konfirmuar edhe njëherë qëndrimin kundër shfuqizimit të Ligjit Për Dhomat e Specializuara, gjatë takimit të Komisionit të MSA-së bashkë me deputetët e Parlamentit Evropian.
Paragrafi i paraqitur nga Parlamenti Evropian, i cili u bënte thirrje liderëve politikë në Kosovë që të vazhdojnë të përkrahin funksionimin e gjykatës speciale në përputhje me legjislacionin në fuqi, nuk është votuar nga deputetët e koalicionit qeverisës.
Në një deklaratë për media LDK ka bërë të ditur që për shkak të këtij kundërshtimi ka dështuar miratimi i konkluzave në mes të PE-së dhe Kuvendit të Kosovës.
“Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm brenda Bashkimit Evropian që gjithnjë ka bërë thirrje të njihet pavarësia e Kosovës dhe ka përkrahur Kosovën me një sërë programesh. LDK e vlerëson të dëmshëm dhe të papranueshëm veprimin e deputetëve të koalicionit qeverisës, sepse kjo rezulton me dëmtimin e raporteve në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian dhe e paraqet Kosovën si vend që kundërshton parimet e sundimit të ligjit”, thuhet në komunikatë.