Sot bëhen 27 vjet që nga themelimi I Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nisma për themelimin e kësaj partie doli nga shkrimtarët Jusuf Buxhovi,Ali Aliu, Ibrahim Berisha,Mehmet Kraja dhe Xhemail Mustafa.
Pas shumë bisedash, ata angazhuan koordinator të Këshillit nismëtar Jusuf Buxhovin, i cili mori përsipër kontaktimin me intelektualët e tjerë dhe hartimin e programit dhe statutit të partisë. Kjo nismë u përkrah dhe u nxitu nga intelektual të kohës si Ibrahim Rugova, Ajri Begu, Basri Çapriqi e Ramiz Kelmendi, të cilët me nënshkrimet e tyre, pranuan të bëhen anëtarë të Këshillit nismëtar për themelimin e partisë.
Ky Këshill nismëtar takohej herë pas here dhe bisedonte për kont-urat e ardhshme të partisë. Pa marrë parasysh vështirësitë e fillimit dhe ato të kohës, u vendos që në punën e mëtutjeshme të themelimit të partisë të përfshiheshin edhe intelektualë të tjerë, të guximshëm për veprim në rrethana e shkatërrimit të Jugosllavisë.
Kështu, në listën e nismëtarëve u gjendën edhe Fehmi Agani (që dha ndihmesë të konsiderueshme për versionin përfundimtar të tekstit të Programit të partisë), pastaj aktivistët Bujar Bukoshi, Zenel Kelmendi, Zenun Çelaj, Jusuf Bajraktari, Mustafë Radoniqi, Hysen Matoshi e Neshet Nushi, për t’u forcuar, më në fund, me akademikët dhe shkencëtart si: Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja, Anton Çetta dhe Zekiria Cana (Këta dy të fundit ishin të angazhuar në projektin Pajtimi i Gjaqeve).
Ndërkohë, nga gjysma e nëntorit dhe fillimi i dhjetorit po krijoheshin kont-urat e qarta të Programit të partisë si dhe statuti. Koordinatori Jusuf Buxhovi disa herë ua parashtroi anëtarëve të bërthamës të Këshillit nismëtar përmbajtjen e Programit dhe të Statutit, duke e plotësuar atë me vërejtjet dhe propozimet që i jepeshin nga njëmbëdhjetësh-ja, si dhe të tjerët që konsultoheshin. Në javët e para të dhjetorit versioni i programit ishte i gatshëm dhe ai u miratua. Mbetej për t’u caktuar dita dhe vendi i mbajtjes së kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kishte propozime të ndryshme, nga ato se kuvendi duhej mbajtur menjëherë në heshtje, deri tek ata që duhej shtyrë pas vitit të ri. Rrethanat përnjëmend ishin të tensionuara, ngase nuk dihej se si do të reagonte pushteti i atëhershëm partiak, i cili ishte në shkatërrim e sipër. Pas shumë shqyrtimesh, u caktua data – 23 dhjetor 1989, transmeton Klan Kosova.
Për shënimin e kësaj dite, LDK sot kryetari i LDK-së, njëherit edhe kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa me anëtarët e kryesisë së LDK-së, do të bëjnë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova. Ndërkaq, në orën 12:00, në Hotel “Emerald”, do të shënohet 27-vjetorin e themelimit të saj.