LDK me Gëzim Plakollin në garë për Mitrovicën, Abdixhiku premton zhvillim dhe unitet

Prishtinë | 20 Sht 2025 | 20:07 | Nga Diellza Gashi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar në një tubim zgjedhor në Mitrovicë kandidatin e kësaj partie për kryetar komune, Gëzim Plakollin, raporton Ekonomia Online.

Në fjalën e tij, Abdixhiku tha se Mitrovica është simbol i qëndresës dhe meriton zhvillim, siguri e dinjitet.

Ai e cilësoi Plakollin si njeri të ndershëm e të përkushtuar, që është çdo ditë pranë qytetarëve dhe problemeve të tyre.

“Sonte jemi në një natë të madhe, në një qytet të madh, me një histori të madhe. Jemi në Mitrovicë – në zemrën e Kosovës, në simbolin e qëndresës sonë, në emrin që lidhet me sakrificën, me dhimbjen, por edhe me krenarinë e madhe të këtij kombi.

Mitrovica nuk është qytet i zakonshëm. Mitrovica është qyteti ku janë provuar përballjetmë të rënda, ku është testuar guximi i këtij populli, ku është paguar çmimi i lirisë dhe dinjitetit. Mitrovica është qyteti që nuk u përkul, që nuk u dorëzua, që nuk u mposht. Dhe prandaj, sonte, fjala jonë këtu merr peshë të veçantë. Sonte nga Mitrovica fillon zëri i fitores që do të përhapet në gjithë Kosovën. LDK ka ardhur në Mitrovicë jo për premtime boshe, jo për fjalë të kota, por për të dhënë shpresë të re. Ne kemi ardhur për të thënë se ky qytet meriton më shumë, meriton zhvillim, meriton siguri, meriton dinjitet. Në krye të kësaj gare, në krye të kësaj përpjekjeje, ne kemi kandidatin tonë. Një emër që mishëron ndershmërinë, punën, përkushtimin. Një njeri që është mes qytetarëve çdo ditë, që i njeh problemet, që i jeton hallet e Mitrovicës bashkë me ju. Ai nuk është i largët, nuk është i mbyllur, nuk është i privilegjuar. Ai është njeriu juaj. Ai është kandidati ynë për Mitrovicën. Ai është kandidati i fitores, Gëzim Plakolli”, deklaroi i pari i LDK-së.

Abdixhiku premtoi mbështetje për punëtorët e Trepçës, zhvillim ekonomik, arsim modern dhe shëndetësi cilësore, duke theksuar se Mitrovica ka nevojë për unitet dhe shpresë të re.

“Gëzim Plakolli nuk është një emër i rastësishëm. Ai është njeri që i përket këtij qyteti, që i përket çdo lagjeje e çdo fshati të Mitrovicës. Ai nuk është larg njerëzve, ai është gjithmonë mes tyre. Nuk është nga ata që flasin me slogane, është nga ata që punojnë me përkushtim. Nuk është nga ata që shohin pushtetin si privilegj, është nga ata që e shohin pushtetin si shërbim.

Dhe kjo është ajo që i duhet Mitrovicës. Një kryetar që nuk ikën nga problemet, por i përballon ato. Një kryetar që nuk i fsheh sfidat, por sjell zgjidhje. Një kryetar që nuk i lë qytetarët në harresë, por i bën ata pjesë të qeverisjes. Ky është dallimi ynë. Ky është dallimi i Lidhjes Demokratike. Ky është dallimi i Gëzim Plakollit. Por Gëzimi nuk është vetëm. Përkrah tij është një ekip i tërë, lista e Lidhjes Demokratike për Asamblenë Komunale të Mitrovicës. Janë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë, qytetarë që nuk hyjnë në politikë për privilegje, por për shërbim. Ky ekip është garancia që fjala e dhënë do të kthehet në vepra. Ky ekip është ura mes qytetarëve dhe pushtetit lokal. Ky ekip është garancia që vendimet do të merren me përgjegjësi e transparencë. Dhe prandaj, më 12 tetor, Mitrovica nuk duhet të zgjedhë vetëm kryetarin, por duhet të zgjedhë edhe Asamblenë e LDK-së. Sepse vetëm bashkë, kryetari dhe Asambleja, e bëjnë ndryshimin të plotë. Vetëm bashkë e kthejnë Mitrovicën aty ku e meriton”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, Gëzim Plakolli dhe ekipi i LDK-së janë garancia për ndryshimin që e meriton Mitrovica.


”Mitrovica ka nevojë për zhvillim. Ky qytet nuk mund të mbetet peng i të shkuarës. Nuk mund të mbetet peng i dështimeve. Mitrovica ka nevojë për ekonomi të fortë, për vende pune, për hapësira për bizneset e reja. Ne do të mbështesim investimet, do të krijojmë kushte për zhvillim, do të hapim perspektivë për punëtorët e këtij qyteti. Minatorët dhe punëtorët e Trepçës do të kenë përkrahje. Ata nuk do të ndihen më të harruar, por të respektuar, të mbështetur, të vlerësuar. Sepse pa punëtorin e Trepçës nuk ka histori të Mitrovicës. Dhe pa respekt për punëtorin nuk ka dinjitet për qytetin.

Mitrovica ka nevojë për arsim modern. Fëmijët e këtij qyteti nuk meritojnë më pak se fëmijët e kryeqytetit. Ne do të sjellim projekte për shkolla të reja, për klasa të pajisura, për mësim tërëditor. Ne do të sjellim mbështetje për mësuesit, për nxënësit, për prindërit. Sepse vetëm përmes arsimit ndërtohet e ardhmja. Dhe Mitrovica e ardhshme do të ndërtohet mbi dije, mbi shkollim, mbi përgatitjen e brezit të ri.

Mitrovica ka nevojë për shëndetësi cilësore. Qytetarët nuk duhet të shkojnë në qytete të tjera për shërbime bazike. Qendrat shëndetësore këtu do të kenë mjekë, do të kenë pajisje, do të kenë ilaçe. Shërbimi shëndetësor do të jetë afër qytetarëve, jo i largët e i paprekshëm. Sepse shëndeti është e drejtë e çdo qytetari. Dhe kjo është ajo që garanton LDK. Por mbi të gjitha, Mitrovica ka nevojë për unitet”, theksoi ai.

Të ngjashme