LDK mund të vetëvritet, por jo Kosova

Prishtinë | 28 Dhj 2016 | 09:44 | Nga Anton Berisha

Misioni i vetëvrasjes se LDK –së, me këto veprime edhe mund të mos ndalet, por misioni i Isa Mustafës me grupin e LDK-së për të vrarë Kosovën do të ndalet

Përderisa lexoja deklaratën e fundit të LDK-së, mu kujtua thënia e historianit dhe filozofit britanik Arnold Toinbe: “qytetërimet nuk i vret kush, por vetëvriten.”

Lidhja Demokratike e Kosovës, që falë intelektualit e prijësit Ibrahim Rugova , kishte arritur të përçoj në botë mesazhin që Kosova dhe shqiptarët në veten e tyre kanë qytetërim, kanë kulturë demokratike dhe kanë vullnet e gatishmëri për të respektuar normat e sjelljet qytetëruese, dhe falë këtij imazhi bota perëndimore na ndihmoi dhe përkrahu në rrugën e themelimit të shtetit të Kosovës; sot është shndërruar në të kundërtën e saj: shkelëse e normave demokratike, shkelëse e normave profesionale, shkelëse e etikës qytetëruese, shkelëse e integritetit territorial, shkelëse e funksionalizimit të institucioneve të saj; shkelëse e respektimit të qytetarit të vet.

Ajo, sot e udhëhequr apo zënë peng prej një grupi të caktuar njerëzish në krye me një njeri të shkollës jugosllave, në misionin tash të arritur për të vrarë LDK-në, ka zgjeruar frontin për të vrarë shtetin e Kosovës. Dhe, sa herë që dikush i del në rrugë në misionin e vrasjes së shtetit dhe të dëmtimit të çështjes shqiptare, përmes fjalorit joqytetërues, të tipit të regjimit sllavo-komunist, ofendon cilindo që i del në rrugë në përpjekjen e saj për të krijuar mjegullinë në publik që përmes ndotjes t’i iket problemeve reale që ka Kosova, e që është dështimi i funksionalizimit të shtetit dhe krijimit të një ambient qytetërues.

Isa Mustafa, në misionin e tij, për të bindur edhe bashkësinë ndërkombëtare, se teza e Serbisë, se shqiptarët nuk janë të aftë për të mbajtur shtet, është duke përdorur LDK-në si instrument në arritjen e këtij qëllimi. Me shfrytëzimin dhe keqpërdorimin e resurseve shtetërore në funksion të individëve dhe grupeve për t’i mbajtur aktiv; ai është në rrugën e tij të shkatërrimit të shtetit.

Por, në këtë mision, të vetëvrasjes së vetvetes, LDK-ja në hapin tjetër që ka hedhur, për të vrarë çdo shqiptar që mendon ndryshe dhe për të vrarë shqiptarët dhe Kosovën, sigurisht që do të has në kundërshtimin tonë të pa kompromis dhe pa pyetur për çmimin. Shfrytëzimi dhe keqpërdorimi i kapitalit politik të LDK-së, që ishte kontribut i të gjithë neve, nuk i jep dhe nuk do të lejojmë t’i jep garniturës aktuale të LDK-së, të drejtën që shtetin ta konsiderojë pronë private të Isa Mustafës e grupit të tij dhe ta shfrytëzojnë si një ‘arë’ të huaj për ta shfrytëzuar përkohësisht përderisa t’i kthehet si pronë Serbisë.

Isa Mustafa dhe grupi i tij në LDK, mund të përdorin të gjitha metodat, gjuhën e ulët, ofenduese e cinike, por nuk mund të na ndalin në ruajtjen dinjitetit të qytetarit dhe të shtetit të Kosovës që është ‘arë’ e qytetarëve të vet dhe jo e dhënë me qira. Misioni i vetëvrasjes se LDK –së, me këto veprime edhe mund të mos ndalet, por misioni i Isa Mustafës me grupin e LDK-së për të vrarë Kosovën do të ndalet.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme