Kandidatët për kryetar të Prizrenit, të cilët mbetën jashtë garës për raundin e dytë, nuk kanë vendosur se kë do ta përkrahin mes Shaqir Totajt të PDK’së dhe Mytaher Haskukajt të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në Prizren janë numëruar 93.15 për qind të votave, dhe tashmë dihet se në balotazh do të shkojnë Shaqir Totaj i Partisë Demokratike me 29.68 për qind të votave dhe Mytaher Haskukaj i Vetëvendosjes me 22.46 për qind.
Hatim Baxhaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili është në vendin e tretë me tre për qind më pak se Haskukaj, thotë për Gazetën Express se është i zhgënjyer me rezultatin e zgjedhjeve lokale.
Sidoqoftë, ai tregon se në balotazh mes PDK’së e LVV’së, ai do të zgjedhte këtë të fundit.
Baxhaku, i cili, mandatin e kaluar kishte kundërshtuar edhe koalicionin qeveritar të LDK’së me PDK’në, thotë se vetë ai do të përkrahte kandidatidatin e Vetëvendosjes.
“Mu ma kona me shku me VV’në, por s’e vendosi unë, s’jam kryetar i strukturave”, është shprehur Baxhaku.
Ndërsa Lulëzim Kabashin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili mori 5.333 mijë vota, nuk preferon asnjërin nga kandidatët që kaluan në balotazh.
Ai thotë se mbetët që më tej të flasin në parti, e më pas edhe me kandidatët që garojnë më tej, për të dalë me një qëndrim, por që tani, nuk ka ndonjë afërsi me Totajn apo Haskukajn.