Besnik Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë të dielën në një konferencë për media se procesi zgjedhor në përgjithësi ka shkuar mirë me përjashtim të disa shkeljeve siç është grumbullimi i militantëve partiakë para qendrave të votimit në Skenderaj.
“Vlerësimi ynë për zgjedhjet është përgjithësisht pozitiv, me gjithë vërejtjet që kemi në disa raste që ndërlidhen me pengimin e vëzhguesve tonë që të përmbushin misionin e tyre. Raste të tilla janë evidentuar në Skenderaj në Qendrën e Votimit 2105B si dhe grumbullimin e militantëve partiak pranë qendrave të votimit duke provuar që t’iu bëhet presion votuesve”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se shqetësues është edhe rasti i OJQ-së tashmë të njohur, pjesë e së cilës janë identifikuar edhe asamblistë të KK të Gjakovës nga PDK.
“Sido që të jetë, në ftojmë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë edhe këtë pjesë të kohës së mbetur dhe të përmbushin obligimin e tyre qytetar përballë venit të tyre. Ndërsa, ne kërkojmë që konform rregullave zgjedhore, qytetarëve që do të jenë në radhë në momentin e përfundimit të orarit të përcaktuar zyrtar t’u lejohet pa përjashtim ushtrimi I të drejtës së votës”, ka deklaruar Krasniqi.
Në fund ai i ka ftuar të komisionerët dhe vëzhguesit që gjatë procesit të numërimit të kryejnë detyrën e tyre me nderë dhe saktësi me qëllim që në asnjë mënyrë të mos ndodhë deformimi i vullnetit të qytetarëve i shprehur përmes votimit.