Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paraqitur në një konferencë për medie disa prej shkeljeve që janë evidentuar në Raportin e Auditorit për Komunën e Prishtinës.
Shkelje këto që sipas kësaj partie kanë ndikuar në rënien e buxhetit të Komunës së Prishtinës dhe humbjet në realizimin e investimeve kapitale. Madje LDK ka paralajmëruar edhe kallëzim ndaj kryetarit Shpend Ahmeti, raporton Ekonomia Online
Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi tha se janë evidentuar një numër i madh shkeljesh dhe se të gjeturat nga viti i kaluar nuk janë adresuar fare.
“Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë raport të vitit 2017 ka konkluduar se në menaxhimin e komunës ekzistojnë mangësi në mos zbatimin e plotë të rekomandimeve nga viti paraprak, anashkalim të planit për menaxhimin e rrezikut, mungesë iniciativash për rritjen e të hyrave dhe mosefikasitet i auditimit të brendshëm si katalizator i efikasitet të kontrolleve të brendshme.
“Pastaj planifikimi dhe realizimi i buxhetit ka mangësi të theksuara, sidomos të projektet kapitale mbetet sfida kryesore për komunën. Komuna në vitin 2017 sipas këtij raporti ka realizuar vetëm 57 për qind të buxhetit në këtë kategori”.
Abrashi shtoi se mungesa e kryetarit Shpend Ahmeti në mbledhje të Kuvendit Komunal është shkelje.
“Mungesa e kryetarit në seanca dhe ika e tij nga kuvendi përbën shkelje. Ikë nga përgjegjësitë si kryetar. Një kryetar që s’vjen me muaj në kuvend komunal, derisa gjenë kohë për udhëtime turistike me financa të dyshimta, nuk gjen kohë të vijë në Kuvend”.
Asamblistja e LDK-së, Fiknete Bejta, përmendi 25 të gjeturat e Zyrës së Auditimit. Ajo deklaroi se rreth 1.8 milion euro shpenzime operative janë paguar jashtëligjshëm nga shpenzimet kapitale. Sipas saj, vetëm 57 për qind e buxhetit për investime kapitale është shpenzuar.
“Rreth 1.8 milion euro shpenzime operative janë paguar jashtëligjshëm nga shpenzimet kapitale. Niveli i ulët i shpenzimit të buxhetit të investimeve kapitale, vetëm 57 për qind e buxhetit te kësaj kategorie. Dhënia e pronave në shfrytëzim pa kompensim, të paktën 37 parcela në zonën industriale me rreth 6 hektarë, shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës.
“Tejkalimi i kohës së përcaktuar për mbajtjen e pozitave me ushtrues detyre, shumë pozita menaxhuese janë mbuluar me ushtrues detyre. Mosraportimi nga përfituesit e subvencioneve, komuna nuk ka arritur të mbledhë raporte kthyese apo dëshmitë përcjellëse të cilat vërtetonin nëse mjetet janë shpenzuar për qëllim të caktuar”.
“Subvencione ju kanë dhënë personave që s’janë banorë të komunës së Prishtinës. Planifikim i dobët i sasive në kontratë dhe mangësi në procesin e vlerësimit të tenderëve. Të gjeturat e auditimit janë fakte, çka mund të shtojmë ne është se kemi vonës të kontratave. Fakti që jemi në konferencë është që po i adresojmë”.
Halim Halimi, ish-kryesues i Kuvendit Komunal nga LDK, ka paralajmëruar mundësinë e ngritjes së kallëzimeve penale për këto te gjetura.
“Kemi bërë edhe kallëzime penale në të kaluarën. Nuk do të thotë që edhe ketë vit nuk do të bëjmë kallëzime penale. Nuk do rrinë duarkryq, do të veprojmë që kryetari të punojë për komunën ose të ikë”.