LDK-ja paralajmëron padi ndaj presidentit Thaçi

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 11:23 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar padi në Gjykatën Kushtetuese ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se ende nuk janë emëruar anëtarët e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, për të cilin institucion thotë se është paralizuar.

Sipas tij, nëse presidenti i vendit nuk vepron në bazë të kompetencave të tij kushtetuese në raport me emërimet në KQZ, atëherë ai do të përballet me padinë e LDK-së.

“Ende nuk janë emëruar anëtarët e KQZ-së nga Presidenti. Ne vlerësojmë se me qëllim po bllokohet KQZ-ja tash e 10 muaj.Dhjetëra të zgjedhur nëpër kuvende komunale dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës presin të certifikohen nga KQZ-ja. Presidenti e ka obligim kushtetues këtë gjë dhe nuk mund t’i ikë. Nuk është në diskrecionin e tij të veprojë mbi baza të pazareve politike. Ai duhet të veprojë vetëm në bazë të Kushtetutës, ndryshe do të përballet me Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Hoti, raporton EO.

Presidentin Thaçi, sipas Hotit, po vazhdon të angazhohet për shkëmbim territoresh, teksa procesin e dialogut, e vlerëson të paqartë.

“Dialogu me Serbinë kurrë nuk ka pasur më shumë paqartësi. Vetëm një gjë është e sigurt, angazhimi i Presidentit për shkëmbim të territoreve. Sa më shpesh që ekipi negociator po shkon në Bruksel, më i paqartë po bëhet në Prishtinë. Ekipi negociator tash i ka hequr tabutë për temat që do të dialogohen në Bruksel”, tha Hoti.

Hoti e quajti krizë të qeverisjes lokale veriun e vendit. Sipas tij, Qeveria po krijon situatë të rrezikshme atje.

“Qeveria me mos veprim ka krijuar rrethana në veri të vendit, të cilat i dëshirojnë kundërshtarët e shtetit të Kosovës që po angazhohen për copëtim të Kosovës. Duke mos u marrë në mënyrë institucionale me situatën në veri, Qeveria po krijon situatë të rrezikshme në aspektin ligjor dhe kushtetues. Sot, nuk dihet se kush udhëheq me ato komuna, kush autorizon shpenzimet buxhetore dhe si ofrohen shërbimet komunale kur nuk ka Kryetar të Komunës”, shtoi Hoti, raporton EO.

Hoti: Qeveria pos taksës, s’ka çka të tregojë para qytetarëve

Hoti shtoi se sa më shumë që përkeqësohet situata në vend, aq më shumë ekzekutivi insiston në taksën 100 për qind për Serbinë dhe Bosnjën.

 “Taksa është bërë çelës për t’i mbuluar problemet, por nuk po i zgjidh. Sa më shumë që po përkeqësohet situata në Kosovë, duke u paralizuar institucionet një nga një, aq më shumë Qeveria po insistion në taksën 100%. Përveç taksës 100%, asgjë tjetër nuk mund të ofrojë koalicioni PAN për përmirësimin e gjendjes në Kosovë”, u shpreh ai.

Sa i përket buxhetit i cili ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës, Hoti tha se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim. Ai thotë se po bëhet pazare me buxhetin e shtetit.

“Është hera e parë që nis viti pa buxhet të miratuar (përjashto vitin 2011, kur nuk ka pasur Kuvend për shkak të zgjedhjeve të dhjetorit 2010). Ky është një precedent i keq që e ka vendosur Qeveria Haradinaj në dhjetëvjetorin e pavarësisë. Fatkeqësisht, koalicioni PAN po e përdor buxhetin e qytetarëve për pazare politike me PSD-në, vetëm për të qëndruar në pushtet”, pohoi Hoti.

Greva në arsim dhe shëndetësi, sipas Hotit, janë si rezultat i rritjes së pagave për kabinetin qeveritar.

 “Grevat vetëm sa po thellohen. Është e qartë se Qeveria i ka shkaktuar këto greva me vendimin për dyfishim të pagës për vete. Zgjidhja është e qartë: (i) Qeveria të anulojë vendimin për rritje të pagës për vete dhe (ii) ligji i pagave të tërhiqet dhe të rishkruhet nga fillimi në konsultim me të gjitha kategoritë e punësuarve në sektorin publik”, pohoi Hoti, raporton EO.

Ai bëri të ditur se do të kërkohet sqarim edhe për mosakredimin e programeve për institucionet universitare publike në vend.

Të ngjashme