LDK pas takimit me Lajçakun: Heqja dorë nga njohja, përgjegjësi e Kryeministrit Kurti

Prishtinë | 10 Mar 2023 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot ka pritur në takim ndërmjetësuesin e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajçak.

Siç njofton LDK përmes një komunikate, gjatë takimit u bisedua për ecurinë e procesit dialogues me theks të veçantë për propozimin evropian në lidhje me normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

“LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”.

Megjithatë, LDK-ja përsëri thotë se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”.

Në takim, LDK thotë se Abdixhiku i ka kërkuar Lajçakut sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme.

Të ngjashme