Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovë në Gjilan ka mbajtur një konferencë për medie me rastin e 100 ditëve të qeverisjes së re komunale.
Para gazetarëve u paraqitën Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve Komunalë të LDK-së; Fitim Guda, anëtar i Kryesisë së Degës dhe Gresa Avdiu, anëtare e Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së.
“Me rastin e përmbylljes së këtij 100-ditëshi, shihet se nuk ka ndodhur asgjë jashtë asaj që ne e kemi ditur dhe pritur që do të ndodhë”, tha Avdyl Aliu.
“Në suaza të Fer-Play, Qeverisjes Hyseni i kemi dhënë 100 ditë, që kemi konsideruar se është një periudhë e mjaftueshme kohore për t’u përgaditur, për t’u fokusuar në operacionalizimin e programit qeverisës dhe për ta përkthyer nga ai deklarativ e politik që e kanë pasur në fushatë, në një program real ku duken numrat, agjendat, politikat financiare dhe periudhat kohore që duhet të realizohen”, u shpreh Aliu.
Ai foli edhe për ngecjet e Kuvendit Komunal duke treguar se ka vonesa të mëdha në themelimin dhe konsolidimin e komiteteve që janë trupa profesional, që Kuvendit i ndihmojnë për pothuajse të gjitha çështjet që duhet trajtuar.
“Në përgjithësi, ne nuk duam të paragjykojmë asgjë, por nisur nga ajo se dita e mirë shihet në mëngjes, kemi frikë se kjo qeverisje nuk do të mund të mbajë hapin e trashëguar nga qeverisja e kaluar dhe se do të mbetet shumë larg nga pritshmëritë për nje komunë të zhvilluar.” – përfundoi Aliu.
Sipas Gudës, LDK-ja në Gjilan po vendos standard të ri të opozitarizmit, duke pritur të kalojnë 100 ditë për të dalë me vlerësimet e para për qeverisjen aktuale.
“Në emër të lirisë së shprehjes, më lejoni të shpif”, deklaroi Guda, për të përshkruar akuzat e pabaza e të pavërteta që sipas tij po hedhen drejt qeverisjes së kaluar të udhëhequr nga Lutfi Haziri.
Guda theksoi ngecjet e drejtorive komunale në çështje të ndryshme, duke dhënë një sqarim edhe për borxhet e akumuluara të komunës ndër vite.
“Nga e thëna në të bërë, ka një det të tërë!”, theksoi Guda, duke i cilësuar si të humbura për Komunën e Gjilanit këto 100 ditë.
E fundit në këtë adresim të Degës së LDK-së ishte znjsh.Gresa Avdiu. Ajo tha se ky pushtet po e ka të vështirë ta largojë petkun opozitar e të fillojë të punojë për qytetarët e Komunës së Gjilanit.
“Me parregullsi, shkelje ligjore e vonesa e filluan këtë mandat”, tha ndër të tjera Avdiu para gazetarëve.
Ajo theksoi se nuk ka filluar ende realizimi i të paktën njërit nga 109 premtimet që kryetari i Komunës i ka bërë gjatë fushatës elektorale duke u shprehur skeptike se me këtë dinamikë të punës e vetëm me takime, do mund t’i realizojë ato ashtu sic ka deklaruar.
“Sot e kemi zyrtarisht edhe ditën e parë të pranverës, andaj urojmë shume që kjo qeverisje zgjohet pas këtij pushimi dimëror, e pas 100 ditëshit të fillojë punët e saj bashkë me stinën e bukur”, përfundoi Avdiu.
LDK në Gjilan thekson se do qëndrojnë opozitë konstruktive dhe do ofrojnë të gjitha kapacitetet e tyre në Kuvend Komunal dhe në komitetet profesionale.