Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sadri Ferati, ka thënë se kjo parti është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare kurdo që ato mbahen.
Por, sipas tij, aktualisht nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme meqë mund të ketë pasoja për shumë projekte zhvillimore në Kosovë. “LDK-ja është e gatshme për zgjedhje kurdo që ato mbahen, mirëpo nuk e sheh të arsyeshme të ndërpritet puna e Qeverisë dhe realizimi i shumë projekteve. Edhe pas zgjedhjeve, prapë detyrat e njëjta do t’i kemi para vetes”, është shprehur Ferati, në një intervistë për “Epokën e Re”.
Ai thotë se koalicioni qeverisës PDK – LDK është stabil, por ka sfida të mëdha që duhet t’i tejkalojë.
Një prej këtyre sfidave, Ferati ka thënë se është çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka vlerësuar se demarkacioni duhet të shkojë në Kuvend për të marrë një përgjigje, por jo në mënyrë të ngutshme. “Për demarkacionin ka zëra individualë si në LDK, si në PDK, që janë kundër këtij versioni. Janë disa deputetë që kanë shprehur rezerva për votimin e kësaj çështje. Realisht çështja e demarkacionit është komplikuar dhe është vështirë që të prognozohet se si do të rrjedhin gjërat nëse votohet apo jo demarkacioni”, ka deklaruar Ferati.
Kurse sa i përket transformimit të FSK-së, ai ka thënë se partnerët e koalicionit shprehin mendimin se Kosovës i duhet ushtria. Por, sipas Feratit, ushtria nuk duhet bërë në mënyrë të ngutshme dhe pa koordinim të plotë më partnerët ndërkombëtarë. “Fillimisht do të provohet sipas formës më të mirë, ndryshimeve kushtetuese dhe të arrihet një konsensus i gjerë, sepse do të jetë ushtri e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Por nëse nuk është e mundshme përmes ndryshimeve kushtetuese, do të ketë forma të tjera, meqë Kosovës i duhet ushtria, sepse ajo i ngre kapacitetet mbrojtëse, i lufton rreziqet në raport me shtetin si dhe i kontribuon stabilitetit në rajon. Por, nuk duhet të ngutemi që ta bëjmë ushtrinë pa koordinim me partnerët tanë, sepse edhe ata pajtohen se Kosovës i duhet ushtria dhe kemi deklarata të fuqishme në këtë drejtim, mirëpo thonë se duhet të presim për një kohë, por jo pakufi”, ka theksuar ai.
Ferati ka folur edhe për çështjen e dialogut me Serbinë, duke thënë se kërkesa për riformatim dhe kërkesa për zbatim të marrëveshjeve nuk i bën keq këtij procesi. “Nuk e shoh brengosëse thirrjen e disa zërave që të ulemi dhe të diskutojmë se çfarë dialogu duhet të kemi në të ardhmen. Madje kjo mund të jetë diçka pozitive”, ka deklaruar Ferati.