Lidhja Demokratike e Kosovës, nëpërmes një komunikate për shtyp, ka ftuar qytetarët e vendit që të jenë “të qetë dhe të matur” në situatën e krijuar pas vendimit të sotëm të Kuvendit të Kosovës, sikur thuhet “udhëhequr me hipokrizi dhe pabesi nga PDK-ja e Kadri Veselit”.
“Veprimi i sotëm edhe një herë e la pa asnjë maskë Kadri Veselin dhe bashkëpunëtorët e tij në PDK, të inkriminuar dhe me probleme të thella me ligjin dhe të cilët sot u bashkuan për t’i dhënë fund Qeverisë që e çliroi shtetin nga kapja e gjithanshme, që i këputi fijet e krimit dhe të korrupsionit”, thuhet në komunikatë.
“Me këtë veprim, Marrëveshja e koalicionit bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj”.
LDK-ja rithekson përkushtimin e saj “për të luftuar deri në fund krimin dhe korrupsionin në vend, si parti e përgjegjshme, si partia kryesore në vend dhe si partia që e dëshmoi se si qeveriset me duar të pastra dhe se si punohet në dobi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Sipas LDK-së, rrëzimi i Qeverisë së Kosovës nga “koalicioni i të inkriminuarve” rrezikon përfundimisht liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, proceset e tjera integruese euroatlantike, krijimin e Ushtrisë së Kosovës, anëtarësimin në Organizatat Ndërkombëtare, për të cilat, siç po shihet në vazhdimësi, nuk është aspak i interesuar lidershipi i PDK-së dhe individë të caktuar në partitë opozitare.
Lidhja Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Kosovës që të vazhdojnë përkrahjen e tyre për LDK-në, në mënyrë që në qeverisjen e ardhme, të udhëhequr nga LDK-ja, të përmbyllet përfundimisht çkapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni.
LDK-ja thotë se me mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, “të cilët dinë t’i vlerësojnë punët e mira të LDK-së dhe përkushtimin e saj, bashkë me partnerët e saj” do të jenë shumica e re në Kuvendin e Kosovës dhe do të vijojë të udhëheqë vendin në proceset jetike, ndërsa PDK-ja dhe aleatët e saj do të shikojnë nga atje, në “Fillimin e tyre të ri”.