Subjektet opozitare LDK dhe VV-ja, kanë kritikuar raportin financiar të komunës për periudhën janar-mars.
Sipas tyre, ky raport është i përgatitur në mënyrë joprofesionale, pastaj ka një përqindje mjaft të ultë të inkasimit të të hyrave vetjake dhe në anën tjetër për këtë periudhë buxheti është shpenzuar vetëm 18 për qind, shkruan sot “Koha Ditore”.
Prandaj, sipas opozitës nëse komuna vazhdon me këtë trend të shpenzimit të buxhetit pa planifikime konkrete atëherë deri në fund të vitit do të shpenzohet vetëm 70 për qind e buxhetit, ndërkaq pjesa tjetër do të mbetet suficit.
Ekrem Kyqyku, këshilltar në KK të Kaçanikut nga radhët e VV-së, ka sqaruar se edhe në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë e Financa ka kritikuar ekzekutivin e kësaj qeverisjeje derisa ka keqplanifikuar me buxhetin e vitit 2018, me arsyetim se vetëm për periudhën janar-mars janë shpenzuar një pjesë e vogël e buxhetit prej 18 për qind.