Le të mendohemi për qytetarin e zemëruar

Prishtinë | 14 Nën 2016 | 10:19 | Nga Volker Wagener

Lëvizja e të pakënaqurve është edhe për Gjermaninë një temë me përmbajtje shpërthyese. Mendjemadhësia e shtresave të larta në politikë e medie ka bërë që të harrohen viktimat e globalizimit, mendon Volker Wagener.

“Qytetari i keq i zemëruar” ekziston që prej disa vitesh edhe në Gjermani. Pegida dhe para së gjithash Alternativa për Gjermaninë (AfD) artikulojnë zemërimin herë-herë të papërmbajtur ndaj Republikës së Berlinit në përgjithësi dhe ndaj temës së refugjatëve në veçanti.

Deri në triumfin e Trumpit, politika dhe shumica e mendimit të publikuar i diskreditoi në një masë të konsiderueshme moralisht këta qytetarë. Por tani shumë vetë po e kuptojnë se jo të gjithë ata që janë djathtas qendrës janë racistë ose ekstremistë të djathtë. Qytetarët e zemëruar janë rezultati i përkohshëm i një ftohjeje maksimale midis elitës drejtuese dhe pjesëve të popullit. Këtyre pjesëve partitë tradicionale thuajse nuk i kushtojnë vëmendje, pra edhe nuk i përfaqësojnë.

Kombi nuk është më hapësirë mbrojtëse

Dhe kur pastaj nisi vërshimi herë-herë i pakontrolluar i rreth një milion refugjatëve në Gjermani, kjo ngjalli frikë-ra tek ata që jetojnë në kushte të pasigurta ekonomike: tek të papunët, tek të punësuarit në sektorin e pagave të ulëta dhe tek familjet me të ardhura të ulëta. Në këtë sfond, paratë që shteti vuri me vullnet në dispozicion për pranimin e refugjatëve janë vërtet të nevojshme në aspektin humanitar. Por efekti politik i tyre ishte shkatërrues.

Roli i shtetit si kryefamiljar që kujdeset është dëmtuar. Në një kohë, kur politikës i duhen me vite të tëra për të miratuar një pagë minimale, kur shpresat për të marrë një pension të përshtatshëm shuhen, pranimi bujar i refugjatëve është një temë që ngacmon pjesë të mëdha të popullit – jo vetëm në shtresat më të ulëta.

Kundër mendjemadhësisë të të konsoliduar-ve

Ajo që pasqyrohet si protestë në kutinë e votimit – thotë sociologu Hans Bude – është shprehje e qëndrimit “të dhënies fund”, gjë që ky grup i harruar popullor do ta bëjë me politikën e 30 viteve të fundit. Mendjemadhësia e shtresave të larta në politikë dhe në medie ka bërë që tek viktimat e globalizimit të mos i ketë sytë njeri.

Shumë zgjedhës të Trumpit në provincë në SHBA, në jug dhe në Perëndim e Mesëm, qenë ngopur me damkosjen prej elitave të Bregut Perëndimor dhe Lindor si provincialë të pagdhendur. Po kështu edhe në Gjermani ka vite që regjistrohet një zemërim i mbledhur kundër oazit-të-konsensusit-të-të-ndjerit-mirë, i cili e ndëshkon secilin si homofob, që nuk e mbështet martesën e homoseksualëve. Janë pikërisht mediet kryesore që me monotoni dhe njëanshmëri diktojnë në raportimin e tyre si duhet të mendohet. Kjo ndërkohë të nervozon, për shkak se është një qëndrim kaq i trashë pedagogjik.

Multikulturalizmi – një kredo akademike

Asgjë nuk e nënvizon këtë më mirë se sa deklarimi për shoqërinë multikolore, që prej kohësh është kthyer në inventarin e ndërgjegjes të njerëzve korrektë politikisht. Kjo është diçka që nuk është zhvilluar poshtë, por është shpallur që lart si diçka moralisht më e lartë. Para së gjithash prej atyre me diploma akademike, nga qytetarët, nga liberalët e majtë në kuptimin më të gjerë të fjalës.

I përgjigjet ndjesisë së jetës së tyre, që për të ngrënë të shkojnë te indiani, që të blejnë produkte ekologjike, që plehrat t’i ndajnë në mënyrë konsekuente dhe që për pushime, në vend që të pre-notojnë udhëtime paketë në Republikën Dominikane, të shkojnë më mirë në Schwarzwald për të agjëruar.

Të gjitha këto dhe shumë më tepër se këto nuk kanë të bëjnë me realitetin e përditshëm të të përjashtuarve të shoqërisë. Atij që i duhet ta përballojë jetën në provincat gjysmë të shpopulluara të Gjermanisë lindore, pa punë dhe pa bukëpjekës e pa farmaci pranë, dhe të cilit i duhet të udhëtojë 50 km për të shkuar te mjeku, ai nuk ka mirëkuptim për kulturën e urdhëruar të mikpritjes nga Berlini multikulturor shik. Për më tepër: ai e ndien veten të mashtruar.

Detyra e parë e qytetarit: sjellja korrekte politike

Korrektesa politike, si të thuash busulla e sjelljes e shoqërisë sonë, u ngre nervat gjithnjë e më shumë njerëzve. Ai që shprehet kundër mendimit mbizotërues, atij i duhet forcë e brendshme. Dhe këtë forcë nuk e kanë të gjithë. Parulla e nisur për mirë dhe moralisht e nderuar “Do t’ia dalim mbanë”, për një kohë të gjatë nuk lejohej të kundërshtohej. Ose po ta bëje do të paguaje çmimin e një shitstorm në rrjetet sociale. Ja që gjendja është e tillë: edhe shoqëria ndërkohë është e ndarë thellësisht. Po të mos kujdesemi ndryshe për qytetarët e zemëruar, përveçse me leksione pedagogjike, atëherë na pret diçka – më e vonta në vitin 2017, kur të mbahen zgjedhjet.

 

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme