Reperi kosovar, Ledri Vula dhe biznesmeni që menaxhon disa nga këngëtarët e rinj të Kosovës, Krenar Çoçaj, u përballën sot (e martë) në sallën e gjyqit për një zënkë të disa viteve më parë.
Çoçaj bashkë me Gazmend Mirenën akuzohen se natën e 7 qershorit 2012, kishin sulmuar Ledri Vulën pasi ia kishin zënë rrugën me veturë dhe e kishin nxjerrë nga vetura në njërën nga rrugët kryesore të Prishtinës. Nga ky sulm, Ledri Vula kishte marrë lëndime trupore.
Sipas aktakuzës, Gazmend Mirena e ka goditur Vulën me kondak të revoles në vetullën e majtë dhe në kokë, ndërsa Krenar Çoçaj me shufër hekuri në shpinë dhe në kokë. Si rezultat, të akuzuarit kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, ndërsa Mirena akuzohet edhe për veprën penale të përdorimit të armës, mjet ky i cili kishte shërbyer për rrahjen e viktimës.Dy të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për asnjërën nga veprat penale për të cilat akuzohen, njofton Kallxo.com.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Vulës, Tomë Gashi, beson se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve sepse, sipas tij, në bazë të deklaratës së Vulës të akuzuarit janë identifikuar si sulmues ndaj tij. I dëmtuari Vula doli para trupit gjykues në cilësinë e dëshmitarit dhe e rrëfeu ngjarjen e natës së 7 qershorit të vitit 2012.
Ai tregoi se në natën kritike kishte shkuar me Getoar Selimin në studion e “BabaStars” për të dëgjuar incizimin e një kënge të këngëtares Ronela Hajati. Në studio ishin takuar me Fidan Demollin, e më pas që të tre së bashku ishin larguar nga zyra dhe kishin shkuar në drejtim të makinës e cila ishte e parkuar te kompleksi “Qafa” në Prishtinë.
Sipas Ledrit, në momentin që kanë hyrë në makinë, Getoar Selimi i kishte bllokuar dyert në mënyrë elektronike, ndërsa kur Gazmend Mirena i kishte bërtitur “Dil jashtë, dil jashtë”, ai “nga hutia i kishte zhbllokuar dyert”.
“Arsyeja pse kam vendosur të dal nga makina të them të drejtën është sepse Gazmendin e kam njohur dhe nuk ma ka marrë mendja që do të më godasë me të parën”, citohet të ketë thënë Vula.
I dëmtuari Vula ishte sulmuar nga Çoçaj me një shufër metalike në dorë, ndërsa Mirena e kishte goditur me kondak të revoles me ç’rast viktima ishte rrëzuar në tokë.
“Kur më ka goditë Gazmendi, e di që mu ka ba zi dhe instiktivisht i kam qitë duart në kokë”, është shprehur Vula. Ai tha se të akuzuarit nuk i kishin ndalur goditjet.
“Në një moment janë ndalur dhe unë jam ngritur në këmbë dhe kur kam tentuar të ik, më kanë goditur edhe njëherë nga mbrapa. Pasi kam filluar të vrapoj, ata më kanë ndjekur dhe më ka rra telefoni nga xhepi, jam kthyer me marrë telefonin dhe gjaku më rridhte vazhdimisht. Pastaj e kam parë Getoarin duke tentuar që ti ndalë pasi që ata tentonin që të më sulmonin nga mbrapa”, ka shtuar Vula.
Në pyetjen e avokatit Gashi, se a ishte në dijeni se çfarë motivi kishte pasur Çoçaj që të ushtronte dhunë ndaj tij, Vula përmendi këngëtaren Dafina Zeqiri si motiv xhelozie.
“Motivi i sulmit ishte Dafina, pasi që pas Krenarit kam qenë unë në lidhje me të”, ka theksuar Vula.
Në këtë seancë gjyqësore si dëshmitarë okularë, të ftuar ishin Getoar Selimi dhe Fidan Demolli. Këta të fundit nuk u paraqitën në gjykatore për dhënien e dëshmisë, pasi që sipas informatave që trupi gjykues kishte marrë nga stacioni policor, Getoar Selimi rezulton që jeton në Shqipëri, ndërsa dëshmitari tjetër Fidan Demolli, gjendet jashtë vendit në Gjermani.