Legjenda e Bosnjës po përgatitet në Kosovë për Evropianin historik

Hand about to throw a handball in to a handball goal
Prishtinë | 08 Nën 2019 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Pasi e udhëhoqi Bosnjë-Hercegovinën në fushatën historike, njëri prej hendbollistëve më të mirë të këtij vendi mori vendimin që karrierën ta vazhdojë në Kosovë.

Nikola Prce arriti shpejt marrëveshje me kampionen e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, dhe në këtë mënyrë në klubin pejan po përgatitet për pjesëmarrjen e parë në Kampionatin Evropian. Evropiani i 14-të me radhë i hendbollit mbahet në Austri, Norvegji e Suedi prej 9 deri më 26 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është njëra prej tri debutueseve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Paraqitja në Evropian do të jetë prej pikave kulmore në karrierën plot shkëlqim të Prces. Ai në fakt është lojtari më i njohur dhe më i suksesshëm i huaj që ka luajtur ndonjëherë në Kosovë. 39-vjeçari i ka mbi 100 ndeshje për Bosnjën dhe ka realizuar rreth 400 gola. Në nivel klubesh ka luajtur në vende të ndryshme, në liga superiore, dhe gjithë përvojën e tij tani e ka vënë në shërbim të skuadrës Besa Famgas, që aktualisht është pa konkurrencë në Superligën e Kosovës në hendboll.

Ndonëse në fazë përfundimtare të karrierës, Prce pritet të jetë prej lojtarëve kryesorë të Bosnjës në Evropian. Te Besa në dy ndeshjet e vetme ndërkombëtare të këtij edicioni, ndaj Pfadi Winterthur të Zvicrës në rrethin e parë të Kupës së EHF-së, Prce ishte bindshëm më efikasi. Në ndeshjen e parë realizoi 11 gola, ndërsa në të dytën nëntë. Besa nuk ia doli të kalojë tutje, por Winterthuri vlerësohet skuadër dukshëm më cilësore se kampionia e Kosovës. Ndonëse kampionatit të Kosovës aktualisht i mungon rivaliteti, Prce po ndihet mirë te Besa Famgas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme