Deçani shokon Prishtinën, në Gjakovë barazim, Rahoveci fiton në Mitrovicë

Prishtinë | 21 Dhj 2022 | 23:30 | Nga Ekonomia Online

Ashtu siç pritej, xhiroja e 14-të e Superligë së Kosovës në hendboll ka dhënë rezultate dhe ndeshje shumë interesante. Ndeshjet e xhiros së 14-të, të fundit për stinorin vjeshtor, u luajtën të mërkurën mbrëma.

Befasinë e madhe e ka shkaktuar Deçani që e ka mposhtur Prishtinën me rezultat 29:27.
Deçanasit nisën herët shkëputjen, ndërsa epërsia në pjesën e parë në disa raste ishte pesë gola.

Në pjesën e dytë Prishtina u afrua disa herë në një gol, por pa mundur të barazoi rezultatin. Në fund rezultati ishte 29:27.

Fatlind Mazrekaj i ka shënuar 19 gola për Deçanin. 4 i shënoi Ilir Thaqi.

Te Prishtina, Sergio Barreto i shënoi shtatë gola. Gjashtë i kishte Hamdi Salihu.

Dramatike ishte edhe ndeshja mes Vëllaznimit dhe Kastriotit, dy skuadrave me traditë. Dhe ajo nuk dha fitues, përfundoi 30:30. Arbër Neziri i shënoi nëntë gola për Vëllaznimin, kurse tetë i kishte Ardi Halili. Granit Fana e Florian Rexha i shënuan nga pesë gola.

Te Kastrioti, Festim Mustafa i shënoi tetë gola, ndërsa gjashtë i kishte Drilon Bega.

Fitore të madhe ka shënuar Rahoveci, që e mposhti Trepçën në Mitrovicë me rezultat 31:29.

Ndeshja ishte e fortë dhe interesante deri në fund. Por vreshtarët shfaqën më shumë dhe morën dy pikë të vlefshme.

Mali Luzha shënoi 8 gola për Rahovecin, ndërsa nga 6 i kishin Alban Haziri e Marley De Carvalho Fernandes.

Yassine Henahen i shënoi 10 gola për mitrovicasit.

Vushtrria pa telashe fitoi ndaj Llapit, me rezultatin 46:27.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme