Ilias Iliadis vlerësohet prej legjendave të xhudos. Ai ka fituar medalje të artë olimpike, ndërsa ka edhe plot suksese të tjera. Iliadis 33-vjeçar së fundi është pyetur se kush është xhudisti më i mirë i dekadës, ndërsa përgjigja e tij ishte e shpejtë: Majlinda Kelmendi.
Ka pasuar arsyetimi i legjendës për vlerësimin e tij.
“Pasi ajo është e fortë, ka xhudo të bukur dhe ajo është person i mirë”, ka thënë Iliadis.
Është sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos që të premten ka publikuar një incizim me vlerësime të xhudistëve dhe njerëzve të xhudos për xhudistin më të mirë të dekadës.
Personalitete të xhudos janë pyetur për xhudistin e dekadës gjatë garës Masters që po mbahet në Qingdao të Kinës. Kjo garë elitare nisi të enjten e përfundon të shtunën. Është gara e fundit e vitit. Majlinda Kelmendi nuk po merr pjesë në garën në Kinë. Trajneri Driton Kuka ka vendosur ta pushojë pas një viti të ngarkuar me gara e kampe stërvitore, shkruan sot Koha Ditore.
Një dekadë më parë kanë nisur sukseset e mëdha të Majlindës. 28-vjeçarja e zhvillon karrierën në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa është kampione olimpike në fuqi. Ka, po ashtu, dy tituj të botës për seniorë dhe një medalje të bronztë botërore. Ka katër tituj evropianë për seniorë e një medalje të bronztë. Ka shumë e shumë suksese të tjera. Karriera e saj është plot shkëlqim sa një xhudist i vlerësuar, si legjendar, e cilëson si më të mirën e dekadës. Por Iliadis nuk ishte i vetmi me këtë vlerësim për Majlindën.
Zyrtarja e lartë e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Elisabetta Fratini, e ka vlerësuar po ashtu Majlindën si xhudisten më të mirë të dekadës së fundit në botë.