Legjislatura e ardhshme një “frymë e re”

Prishtinë | 30 Qer 2017 | 17:29 | Nga

Përbërja e gjashtë e legjislaturës të Kuvendit të Kosovë, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, konsiderohet nga analistë të çështjeve politike se ka sjellë një frymë të re dhe optimiste për vendin.

Mbi 30 deputetë të cilët ulen për herë të parë në ulëset e Kuvendit të Kosovës, vlerësohet të jenë një vlerë e shtuar për Kosovën.

Instituti Demokratik i Kosovës ndër vite monitoron punën e Kuvendit. Analisti nga ky Institut, Albert Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se figurat e reja politike në Kuvend konsiderohen profesionistë në fusha të caktuara, dhe si të tillë, profesionalizimin e tyre mund të vendosin në shërbim të Kuvendit.

“Në bazë të listave që janë shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të themi që ka një dozë optimizmi, kur flasim për deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, për faktin se janë 32 deputetë të cilët për herë të parë do të ulen në ulëset e deputetëve”.

“Pritet që këta individë të sjellin energji të reja, të freskojnë Kuvendin dhe për më tepër shumë nga ta janë figura publike që kanë qenë të angazhuar prej pozitave tjera të ndryshme”, tha Krasniqi.

Në një prej çështjeve që ka dështuar Kuvendi i Kosovës në legjislaturat e kaluar, shton Krasniqi është cilësuar të jetë mbikëqyrja e Qeverisë dhe, sipas tij, në këto çështje do të duhej të orientohen më shumë energjitë e legjislaturës së ardhshme.

Deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, shton Krasniqi, duke mbikëqyrur Qeverinë e vendit, do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ndërkohë, Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, thotë se numri i madh i deputetëve të rinj në përbërjen e re të Kuvendit janë një shpresë për ndryshime.

“Kjo është diçka pozitive. Presim energji të re prej disa fytyrave që vetëm kanë qenë fytyra publike dhe kanë qenë zë kritikë nga pozicionet e tyre në të kaluarën. Pres prej tyre, qoftë nëse janë në pushtet apo në opozitë, të jenë një zë më ndryshe në Kuvendin e Kosovës. Nëse Kuvendin e kaluar e kemi konsideruar si legjislaturën më të dobët, në këtë legjislaturë nga fytyrat e reja mund të konsiderohet si një nga legjislaturat më të mira që do të duhej ta kishim”, thekson Ismajli.

Në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Kosovës, Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 39 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 32 ulëse, kurse koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën me 29 ulëse.

Nga komunitetet pakicë, Lista Serbe ka fituar 9 ulëse, kurse Partia e Pavarur Liberale ka marrë një ulëse. Po ashtu, edhe komuniteteve joserbe u janë ndarë 10 ulëset e garantuara.

Analisti Albert Krasniqi thekson se në këto zgjedhje parlamentare është parë një ndëshkim i pothuajse të gjysmës së deputetëve të legjislaturës së kaluar, të cilët nuk ishin aktiv dhe nuk arritën të rizgjidhen për një mandat të dytë.

“Kjo tregon për një emancipim të votuesve dhe një votë ndëshkuese për deputetët që nuk kanë qenë aktiv dhe publiku nuk i ka vlerësuar se ata meritojnë edhe një rast të dytë. Ky është një mesazh edhe për deputetët e rinj që duhen të përfshihen aktivisht dhe të mos qëndrojnë në Kuvend vetëm sa për të shkuar, por që të kenë një përfshirje shumë më të madhe dhe të kontribuojnë në mbikëqyrje të Qeverisë dhe në hartimin e ligjeve më cilësore”, thekson Krasniqi.

Legjislatura e deritashme në Kosovë, nga shoqëria civile, ishte cilësuar nga më të plogështat deri më tash, kur bëhet fjalë për vendimmarrje, përmbushje të agjendës së punës dhe miratim të ligjeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme