Leicester City në shitje, pronarët tajlandezë kërkojnë mbi 200 milionë funte

Prishtinë | 13 Gus 2026 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Leicester City është nxjerrë në shitje për më shumë se 200 milionë funte, teksa pronarët tajlandezë të klubit, King Power, janë të gatshëm të largohen pas 16 vitesh në krye të klubit.

Sipas BBC Sport, për shitjen e klubit është përgatitur një broshurë prej tetë faqesh nga banka e njohur amerikane e investimeve Citigroup. Dokumenti, i titulluar “Project Lineup”, përfshin Leicester Cityn, ekipin e femrave, stadiumin King Power me kapacitet prej rreth 32 mijë ulësesh, si dhe qendrën stërvitore në Seagrave.

Kompleksi stërvitor, i hapur në vitin 2020, vlerësohet në rreth 121 milionë funte, ndërsa në paketën e shitjes përfshihet edhe klubi belg OH Leuven, që është në pronësi të grupit të njëjtë.

Broshura e Citigroup vlerëson asetet fizike të Leicesterit në më shumë se 200 milionë funte, por nuk përcakton një çmim të veçantë për skuadrat e klubit.

Në dokument theksohen sukseset e jashtëzakonshme të Leicesterit, përfshirë triumfin historik në Premier League në vitin 2016, kur titulli u fitua kundër të gjitha parashikimeve, si dhe triumfin në FA Cup në vitin 2021.

Megjithatë, broshura nuk përmend faktin se Leicester aktualisht ndodhet në League One, pas dy rënieve radhazi nga Premier League dhe Championship.

As problemet financiare të klubit nuk janë përfshirë në mënyrë të detajuar. Leicesteri ka pësuar më shumë se 180 milionë funte humbje gjatë viteve të fundit, ndërsa llogaritë e vitit 2025 tregojnë se klubi kishte rreth 103.6 milionë funte borxhe bankare.

Citigroup parashikon ndërkohë që Leicesteri të ketë qarkullim prej më shumë se 97 milionë funte për vitin financiar 2026, një shifër që përdoret si një nga pikat pozitive në materialin për potencialin e klubit.

King Power e bleu Leicester Cityn në vitin 2010 dhe gjatë periudhës së pronësisë së saj klubi përjetoi periudhën më të suksesshme në historinë e tij, përfshirë titullin e Premier League dhe trofeun e FA Cup.

Tash, pas 16 vitesh, pronarët tajlandezë duket se janë të gatshëm ta mbyllin kapitullin e tyre në Leicester, me klubin që mund të kalojë në duar të reja në një prej shitjeve më interesante të futbollit anglez.

Të ngjashme