Përzgjedhësi i Çekisë, Jaroslav Shilhavy, ende nuk e ka publikuar listën për ndeshjen me Kosovën që pritet të vendosë se cila prej këtyre dy përfaqësueseve do të kualifikohet në “Euro 2020”.
Por gjasat janë të mëdha që në listën e tij mos të jetë lojtari kryesor i Çekisë, Patrick Schick. Ai nuk ka luajtur që nga 14 tetori kur për Çekinë u paraqit si zëvendësues në miqësoren ndaj Irlandës së Veriut. Kishte luajtur edhe më 11 tetor ndaj Anglisë dhe është pritur që të jetë “arma” kryesore e çekëve për ndeshjen vendimtare ndaj Kosovës që zhvillohet më 14 nëntor në Plzen, shkruan sot Koha Ditore.
Çekët me gjasë kanë pasur në plan që të ftojnë Schickun, me gjithë mungesën e gjatë të tij. Por në klubin e sulmuesit 23-vjeçar, atë RB Leipzig, kanë thënë se nuk do ta lëshojnë lojtarin që të grumbullohet me përfaqësuese për ndeshjet e nëntorit. Sipas “kicker.de”, klubi i Bundesligës nuk do ta lirojë Schickun për shkak të problemeve të vazhdueshme me lëndim.