Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Pal Lekaj dhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë marrë pjesë në dëgjim publik me qytetarët e Pejës për projektin e Autostradës së Dukagjinit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë takimit me qytetarët, Muhaxheri tha se kjo është autostrada më e gjatë që është bërë në rajon.
“Pa dashtë me zgjatë shumë, ju them se kjo është autostrada më e gjata në rajon dhe vend, ju dëshirojë suksese në këtë projekt”, ka thënë Muhaxheri.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, tha se Peja është qyteti që i kontribuon më së shumti buxhetit të Kosovës me kompanitë gjigante që ka.
“Meqë Peja e ka historinë e vet të lavdishme dhe Peja si komunë më fuqishëm i kontribuon buxhetit të Kosovës dhe ka ndikuar mjaftë me kompanitë gjigante që vijnë nga Peja”, tha Lekaj,raporton EO.
Lekaj tha ky është projekti më madhorë që ka ndodhur i cili do të fillojë në fillim të muajit tetor dhe do të implementohet për 4 vite.
“Jam i nderuar që bashkërisht ta projektojmë këtë projekt. Është projekti më madhorë që ka ndodhë, ky projekt do të ndikojë dukshëm në lëvizje të qytetarëve dhe lëvizjen e mallrave. Ne si qeveri dhe ministri jemi të vendosur që ky projekt të fillojë në fillim të tetorit dhe pastaj të implementohet sipas asaj që nënshkruhet kontrata për 4 vite”, tha Lekaj.
Ai tha se kjo autostradë lidh 50 vendbanime dhe 7 komuna.
“Kjo autostradë lidh 50 vendbanime dhe 7 komuna që do të kenë qasje. Peja përfiton, mjaftë kemi diskutuar. Kjo autostradë të jetë me standarde evropiane pasi lidh edhe korridoret me autostradën “Arbën Xhaferi”, autostradën me emër të ish-presidentit të ndjerë “Ibrahim Rugova”, autostrada Pejë -Prishtinë lidh korridoret e rëndësishme evropiane”, u shpreh ai.
Lekaj tha se janë të vendosur në implementimin e këtij projekti.
Sadri Jahaj, udhëheqës i njësisë për zbatim të projektit tha se ky është projekti me parametra evropiane me gjatësi 91 deri 93 kilometra.
” Kanë filmuar përgatitjet për projektim, do te jetë i cilësisë më të lartë, do t’i ketë parametrat evropiane. Projekti do të jetë 91 deri 93 km dhe do të fillojë nga Burgu i Dobravës. Kompania projektuese me të marrë detyrën ka filluar bashkë me udhëheqjen e njësisë ta vizitojë terrenin, të merr parametrat se ka do të kalojë autostrada”, tha Jahaj.
Gjatë këtij diskutimi disa nga qytetarët e kësaj komune u shfaqën të pakënaqur me kyçjen në këtë autostradë dhe sipas tyre ky projekt nuk është i duhuri.
Asamblisti nga radhët e NISMAS, Reshat Nurboja, iu drejtua ministrit Lekaj se këto rrugë po bëhen vetëm për të ikur rinia nga vendi i tyre dhe sipas tij investime duhet të ketë më shumë në shëndetësi dhe arsim.
“Kështu me i pa në fotografi janë shumë mirë, por po të drejtohem z.Lekaj a ka mjete a po i bëjmë këto rrugë veç me na ik rinia pasi në arsim dhe shëndetësi kemi investuar shume pak”, ishin fjalët me të cilat iu drejtuar Nurboja ministrit Lekaj.
E përgjigje për këtë pati Lekaj.
“Ne i kemi vërejt vijat buxhetore, ne si vend duhet t’i kemi prioritet me të drejtë arsimin, shëndetësinë . Nuk ka shtete të zhvilluara pa infrastrukturë, s’ka biznes të zhvilluar pa lidhje korridoresh”, tha Lekaj.