Lekaj: Buxheti për vitin 2024 nuk është as zhvillimor e as i suksesshëm

Prishtinë | 16 Nën 2023 | 14:21 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, në seancën ku po diskutohet për projekt-buxhetin e shtetit për vitin 2024, ka thënë se ky nuk mund të quhet as buxhet zhvillimor e as i suksesshëm.

Lekaj ka thënë se buxheti po bëhet pa i përfillur kërkesat buxhetore të komunave.

“Për ne si AAK, ky buxhet ka shumë mangësi dhe nuk përmbushë nevojat e kërkesat reale të të gjitha kategorive buxhetore. Ky buxhet nuk është buxhet i qytetarëve të Kosovës, sepse po bëhet pa i përfillur kërkesat buxhetore të komunave, të shoqërisë civile, të institucioneve qendrore publike, të sindikatave, të njësiteve tjera buxhetore dhe propozimeve të partive opozitare”, ka thënë ndër të tjera Lekaj.

Fjalimi i plotë: 

Të nderuarë Kolegë deputet, kabinet qeveritar, qytetarë të Kosovës

Sot, po diskutojmë për Projekt-Buxhetin e shtetit të Kosovës i cili nuk mund të quhet as buxhet zhvillimor dhe as i sukseshëm, sepse kemi një rritje të buxhetit për vetëm 100 milion euro, dhe realisht Kosova po mbetë aty ku ka qenë.

Për ne si AAK, ky buxhet ka shumë mangësi dhe nuk përmbushë nevojat e kërkesat reale të të gjitha kategorive buxhetore.

Ky buxhet nuk është buxhet i qytetarëve të Kosovës, sepse po bëhet pa i përfillur kërkesat buxhetore të komunave, të shoqërisë civile, të institucioneve qendrore publike, të sindikatave, të njësiteve tjera buxhetore dhe propozimeve të partive opozitare.

Tani, në pika të shkurta, do të numërojë disa nga mangësitë kryesore të buxhetit të propozua nga ju si Qeveri

Me këtë buxhet të propozuar, nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të pensioneve, nuk ka rritje për pagesat ndaj fëmijëve deri në moshën 16 vjeçare, nuk ka rritje të pensioneve të veteranëve dhe nuk ka rritje të asnjë kategorie tjetër, madje edhe ato rritje që janë, ato janë qesharake.

Me këtë buxhet të propozuar, keni rritur koeficientin për vetëm për 5 euro dhe me këtë keni fyerë policët, mjekët, mësimdhënësit, zjarrëfikësit, shërbyesit civil, gjyqyarët e kategoritë tjera vitale të shtetit.

Me këtë buxhet, keni planifikuar që për ringjalljen ekonomike të shtetit të ndani 69 milionë euro. E nderuara Qeveri, një komunë zhvillohet me 69 milionë euro ama të mendohet që ringjallet ekonomia e Kosovës me 69 milionë euro, është hajgare, padituri dhe lirisht e keni fituar të drejtën që ne të vazhdojmë të ju quajmë Praktikantë, apo qeveri Praktikantësh.

Me këtë buxhet, keni rritur buxhetin e zyrës së Kryeministrit për 408 mijë euro dhe të Presidentes për 410 mijë euro. Ndërsa sa për krahasim e për hir të vërtetës ja keni larguar buxhetin Universitetit të Prishtinës për 900 mijë euro.

Me këtë buxhet, tek Investimet kapitale, nuk keni bërë asgjë, ku 91% të projekteve janë të bartura nga vitet 2022/2023. Thënë në numra, Buxheti total është 640 milionë euro, ku 580 milionë euro (91%) janë për projekte në vazhdim, ndërsa 60 milionë euro (9%) janë për projekte të reja.

Me këtë buxhet, keni krijuar pabarazi dhe diskriminim të komunave e qytetarëve, ku projektet e Ministrive janë të orientuara tek komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosja. Psh. më shumë keni ndarë buxhet për një komunë me 40 mijë banorë sesa për një komunë me 400mijë banorë, vetëm për faktin që nuk është komunë e Vetëvendosjes.

Me këtë buxhet, projektet në infrastrukturë, autostrada dhe rrugë janë aty ku kanë qenë, skeni marrë asnjë vendim për të lëvizur ndonjë gurë në projektet zhvillimore. Keni vazhduar duke harrnuar projektet që kanë qenë si magjistralja e Pejës, Podujevës, Gjilanit, Mitrovicës, ndërsa keni lënë anash autostradën e Dukagjinit e shumë projekte të tjera të rëndësishmë të Kosovës.

Me këtë buxhet, keni rritur vetëm pjesën tek Mallrat dhe Shërbimet, thënë në numra nga 493 milionë euro në (2023) në 519 milionë euro në (2024), ku po dëshmohet që Qeveria Kurti lluksin e ka prioritet ndaj të gjitha nevojave tjera.

Me këtë buxhet, keni rritur pjesën tek Semat Sociale, ku po dëshmohet që kjo Qeveri nuk e ka përmisuar por e ka vështirësuar jetën e qytetarëve, familjeve dhe kategorive tjera që kanë nevojë për dorën e shtetit.

Me këtë buxhet, padrejtësisht i keni shkurtuar Buxhetin Avokatit të Popullit per 27 mije euro, Akademisë së Drejtësisë për 29 mijë euro, Gjykatës Kushtetuese për 115 mijë euro, si dhe Kuvendit të Kosovës për 311 mijë euro

Me këtë Buxhet, keni nderuar dhe lartësuar Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, ku thënë në numra nga 4 milionë e 393 mijë euro e keni ngritur në 6 milion e 639 mijë euro.

Me këtë buxhet, tek kategoria shpenzime rrjedhëse, keni rritur buxhetin për 37 milion euro, që realisht nuk kanë ndonjë efekt dhe ndikim në zhvillimin ekonomik e jetën e qytetarëve.

Për fund, ka edhe shumë ndarje buxhetore që janë gabim e që nuk dua ti përmend, por e quditshme për mua është e vërteta që si ka mundësi që kjo Qeveri që tri vite ka pasur në udhëheqje afër 9 miliardë euro, dhe qytetarët ende nuk kanë parë një projekt të madh e të rëndësishëm që do të bënte jehonë në Ballkan e Evropë, dhe që do tu shërbente nevojave të qytetarëve e zhvillimit të vendit.

Duke mos dashur të zgjatem, Ju bëjë thirrje që në mes të leximeve ti merrni parasysh kërkesat buxhetore dhe amandamentet që do ti bëjmë komunat, sindikatat, shoqria civile si dhe ne si deputetë. 

Kosova ka nevojë për konstruktivitet dhe bashkëpunim pozitë-opozitë, prandaj kjo duhet të fillojë nga Buxheti i Kosovës e për të vazhduar me temat e tjera të rëndësishme që lidhen me të ardhmen e vendit për vitin 2024.

JU FALEMINDERIT.

Të ngjashme