Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj ka marr pjesë në dëgjimin publik me qytetarët e Prizrenit për të diskutuar për autostradën “Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren” e cila do të fillojë së ndërtuari në vjeshtë dhe kap vlerën prej 1 miliard euro, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se ky projekt do të fillojë së realizuar në vjeshtën e këtij viti dhe do të përfundojë për 48 muaj.
Lekaj nga Prizreni u zotua se autostrada e Dukagjinit do të përfundojë brenda aftit kohor të paraparë.
“Prizreni ka marrë një qasje të drejtë të mirë të zhvillimit dhe e falënderoj kryetarin për gatishmërinë e tij ne bashkëpunim për interesat e qytetarëve”, tha Lekaj.
“Ne kemi menduar të komunikojmë drejtpërdrejtë me të zgjedhurit e qytetarëve qe ne të mos bëjmë gabime sepse ju jeni ata që e shfrytëzoni këtë punë dhe autostradat nuk bëhen për individ, por për të mirën e përgjithshme”, tha ai.
“1 miliard euro në tërsi mund t’i kushtoj Kosovës ky projekt dhe duhet të përfundojë për 48 muaj”, shtoi Lekaj.
Lekaj tha se ky është projekti më i madh që do të përfitojnë qytetarët e kësja ane.
“Aty ku fillon edhe ky projekt do përfundoj jam i kënaqur me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve dhe kjo do të ndikojë në projektin final që gjitha sugjerimet që janë profesionale që ndikojnë dukshëm në interes të qytetarëve të përfshihen në këtë projekt. Kjo autostradë ia vlen të ndërtohet dhe ne do ta përballojmë si Qeveri e Kosovës”, tha Lekaj.
Ai tha se ky projekt do te jetë në të gjitha aspektet të bazuara me ligj.
“Gjitha kërkesat e juaja do të shtjellohen dhe nëse lejohen nga inxhinierët duhet të përfshihen kërkesat e qytetarëve 100%, për asnjë interes personal timin nuk jemi këtu, me seriozitetin më të madh kemi komunikuar për këto ditë dhe është projekti i parë që ne po e projektojmë bashkë me ekspert, kryetar komunash dhe qytetarë”, shtoi Lekaj.
Lekaj po ashtu njoftoi se deri në fund të muajit maj të gjitha rrugët e Kosovës do të jenë të ndriçuara.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se këto dëgjime publike i ndihmojnë vendimmarrësit që të projektojnë projekte ngase sic thotë ai kjo autostradë po bëhet për qytetarët.
“Mendoj se është mirë që në autostradat që janë bërë deri tani nuk ka pasur debat publik dhe në këtë aspekt mendoj se është pozitive me i marr komentet, ne duam t’i paraqesim interesat e qytetarëve dhe mendoj se autostrada do jetë më funksionale nëse merren parasysh kërkesat”, tha Haskuka.
“Banorët ankesat më të mëdha i patën se projekti i cili iu prezantua tregon se autostrada i bie pikërisht në tokat me pjellore dhe sipas tyre kjo nuk duhet të bëhet sepse ka mundësi tjera në mënyrë që të mos shfrytëzohen tokat më bujqësore për autostradë. Ata thanë se po ashtu projekti tregon se autostrada prek pronat private ku banorët do të kenë probleme me shpronësime”.
“Ka me pas telashe të shpronësimit dhe besoj se ky variant nuk është i gabueshëm, por ka alternativë më të mirë”, tha një nga qytetarët.
Lekaj tha se arsyeja se pse autostrada po i bie nga tokat pjellore është se ka shumë probleme dhe mospajtime të qytetarëve dhe për t’i ikur tokave pjellore.
Në këtë debat publik u tha se autostrada e Dukagjinit ka filluar në projektim dhe do të ndërtohet me standardet më të larta ndërtimore sikurse autostradat evropiane.
Ministri Lekaj ka mbajtur dëgjime publike me qytetarët në të gjitha qytetet e rajonit të Dukagjinit.