Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka quajtur kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, politikan të “kungjave”, në një status të tij në Facebook.
Lekaj, duke folur për qeverinë Haradinaj, e cila pritet të votohet së shpejti, ka thënë se ai do t’i përmbush të gjitha premtimet dhe zotimet e tyre.
“Pjesëmarrja dhe mbështetja e ndërtimit të shtetit nga të gjitha pozicionet e në të gjitha etapat e z.Haradinaj nuk është ndalë asnjëherë, vetëm se nga nesër ajo do të ndryshojë duke qenë se do të marrë vendime si kryeministër”, ka shkruar Lekaj.
“Seanca e nesërme për ndërtimin e institucioneve të reja është një hapë i rëndësishëm tutje në përmbushjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur me 11 qershor”.
“Qeveria e ardhshme e udhëhequr nga z.Haradinaj, e përbërë nga partitë respektive të cilat janë nënshkruese, do të jetë e Kosovës dhe në të mirë të qytetarëve të saj, e jo siç disa kanë dëshirë t’ia atribuojnë me gjithfarë emrash e insinuatash që nuk janë asgjë e re, por vetëm përtëritje fjalësh”.
“Angazhimi i të gjithëve në qeverinë e udhëhequr nga z.Haradinaj, do të jetë përmbushja maksimale e pritjeve dhe obligimeve ndaj njerëzve të këtij vendi, ndryshe nga sa ka vepruar udhëheqja e PVV në dhe me kryeqytetin tonë”.
“Prandaj thirrja ime për ju, Shpend dhe ‘filozofët’ e partisë tuaj është që t’i gëzohemi kësaj mundësie, duke ndërruar qasje e duke u angazhuar përbashkët, jo për ta thyer e djegur por për ta ndërtuar Kosovën. Ne do të jemi në krye të detyrës për t’i shërbyer qytetarëve, për ju nuk e di”.