Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka mbajtur konferencë për medie rreth vendimit të Qeverisë për aneks-kontratën me “Bechtel & Enka” për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se faji për pagesën e borxhit të Bechtel Enkës në shumë prej 53 milionë euro i takon Ministrisë së udhëhequr nga Lutfi Zharku, dhe e akuzoi këtë të fundit për keqpërdorim të buxhetit.
“Është fakt se kemi pranuar disa njoftime dhe përpjekje për të zgjidhur këto çështje dhe sot e përsëris se ka qenç e mundur të zgjidhet kjo çështje nëse veprimet do të merreshin me kohë. Më 21 korrik 2014 ka filluar të zbatohet kontrata. Kur erdhëm ne në këtë ministri ishim përballë me 63 milionë, mirëpo falë komitetit ndërministror zbriti me 53 milionë euro. Këtu kemi të bëjmë me keqpërdorime të buxhetit nga ana e ministrisë së kaluar”.
“Papërgjegjësia ka ndodhur në vitin 2015 ku janë ndarë 90 milionë euro e që në fakt do të duheshin të paguheshin 220 milionë euro duke planifikuar edhe 30 projekte tjera. Edhe pse ka pasur mungesë të buxhetit, ministri i ka financuar projekte tjera për shkaqe elektorale. Sikur t’i kishte kryer obligimet dhe të mos shtonte projekte tjera, ne sot nuk do të ishim këtu dhe të flisnim për këtë shifër. Ka ekzistuar një papërgjegjshmëri në kontinuitet nga ish-ministri Zharku”.
Ai tha se do të duhej që kontratë të zgjaste me kohë dhe jo të shtoheshin projekte të tjera për arsye elektorale nga ministri Zharku.
“Sikur të ishim të kujdesshëm dhe të kishim marrëveshje për zgjatje të kontratës, nuk do të bisedonim për këtë shumë por me këto 53 milionë euro kishim investuar projekt tjetër. Mirëpo nga papërgjegjësia e ish-ministrit na ka sjellë ku jemi. Nëse gjithë ato projekte prej 267 projekte që janë implementuar gjatë kësaj kontrate pse ka lejuar të niset me projekte tjera”.
“Me këtë marrëveshje përmbyllet i gjithë projekti i cili pritet të përfundojë në dhjetor të vitit 2018. Këto 53 milionë euro nuk janë alokuar për shkak se kemi mungesë të buxhetit sepse janë mbi 160 milionë euro të cilat duhet paguar deri në përfundim. Pagesa për gjithë projektin do të bëhet deri në qershor të vitit 2019”.