Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar lidhur me ankesat e një kandidati se i janë shkelur të drejtat e tij gjatë kohës kur i është nënshtruar testimit për patentë shofer.
Ai ka thënë se shteti i së drejtës duhet të funksionoj dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit.
“Rasti i reagimit të njërit prej kandidatëve për t’u pajisur me patentë shofer, gjë që e ka shtyrë t’a bëj publike ecurinë dhe dyshimet e tij, është një mundësi për neve për të ripërsëritur për të disatën herë, thirrjen që me këto raste duhet të merren organet përgjegjëse ndërsa si procedurë administrative do të marr vendim që inspektorati, divizioni që mbikëqyr këtë segment do të zbardhë të vërtetën nëse ka patur shkelje të të drejtave të kandidatit në fjalë dhe ai do të provohet me komision, që të dalë e vërteta e këtij rasti”, ka thënë Lekaj.
Sa i përket të thënave se ka korrupsion në marrjen e patentë shoferit, sipas tij, edhe në takimet e Këshillit për Siguri të Trafikut Rrugor, ku anëtar është edhe Drejtori i Policisë së Kosovës por edhe në të gjitha rastet tjera e ka “thënë e rithënë, që t’i shkohet deri në fund dhe të zbardhet e vërteta”.
“Jemi për të patur sa ma shumë transparencë jo vetëm në ketë sektor, por në të gjitha segmentet e shtetit. I bëj thirrje të gjithëve që janë përballur me të tilla raste, që të shkruajnë e të denoncojnë. Vetëm duke qenë bashkë, të gjitha hallkat e shoqërisë dhe të shtetit mund t’a luftojmë të keqen”, thuhet në reagimin e ministrit Pal Lekaj.