Lekaj i premton Ahmetit prioritet për projektet infrastrukturore në Prishtinë

Prishtinë | 09 Gus 2018 | 15:20 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka takuar kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin është dakorduar për investim në projekte infrastrukturore në komunën e Prishtinës.

Lekaj ka përmendur disa projekte në të cilat do ta mbështesin komunën, ndërsa u zotua se do të bashkëpunojnë për interes të qytetarëve të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

“Jemi të përkushtuar që prioritet t’i japim Prishtinës. Ne do të bashkëpunojmë për së afërmi në interes për qytetarët e Prishtinës”.

Lekaj përmendi edhe urën në lagjen Veternik, për të cilën tha se do të përfundohet në kohën më të shkurtër të mundshme.

“Ne po ashtu e kemi edhe urën ne Veternik dhe do të përfundohet ky projekt në kohën më të shkurtër të mundshme. Kyçja në Veternik për banesa, u dakorduam që komisionet e infrastrukturës dhe komunës të ulen e të bëjnë zgjidhje për qytetarët”.

“Rikategorizimi i infrastrukturës, ne morëm përsipër dhe së shpejti do të dalim me emërim se cilat do të jenë përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës e cilat të komunës”.

Lekaj ka premtuar se do t’i bëjë publike kontratat e nënshkruara nga ministria, raporton EO.

Mirëpo kreu i MI-së ka potencuar se publike mund të bëhen kontratat të cilat nuk janë të sanksionuara nga palët.

“Ne kemi obligim për të gjitha kontratat që nuk janë të sanksionuara nga të dy palët t’i publikojmë. Ndërsa ato që nuk i kam nënshkruar unë dhe janë të sanksionuar nga palët mund të merret vendim nga gjykata”, sqaroi Lekaj.

Ndërsa kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka theksuar se ura e përkohshme do të ndërtohet nga ministria me qëllim të evitimit të problemeve në Veternik, raporton EO.

Mirëpo, Ahmeti investimin e ndërtimit të Rrugës A që lidh Lagjen e Spitalit me atë “Kalabria” e quajti prioritet për komunën.

“Njëra korsi është dalëse, mirëpo rruga tjetër hyrëse është në afërsi të hekurudhave që të shohim ta zgjidhim këtë problem që të vazhdojmë edhe me implementimin e kësaj rruge”.

“Në bisedime me BERZh-in për unazën e qytetit shumë shpejt qeveria do të dërgojë projektin. Besoj që brenda 2 vite e gjysmë do të përfundojmë këtë unazë që është prej Gorenjes e deri te rruga për Besjanë”.

Ahmeti është shprehur i kënaqur edhe me trajtimin nga qeveria Haradinaj, raporton EO.

“Gjithmonë ka pasë një problem me kryeqytetin. Arsyeja nuk është vetëm e subjekteve politike. Prej ardhjes në pushtet të qeverisë Haradinaj unë kam dhënë kritika sa i përket qeverisë, por në komunë kemi pasur qasje me të drejtë e. më korrekte karshi komunës së Prishtinës”.

Shefi i komunës së Prishtinës, bëri të ditur edhe për ardhjen e autobusëve të rinjë në Prishtinë.

“Autobusët nisën të enjten e javës së ardhshme, besoj që për 3-4 ditë do të vijnë në Prishtinë”.

Të ngjashme