Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, sot ka inspektuar disa projekte rrugore që janë duke u asfaltuar në komunën e Gjakovës.
Gjatë inspektimit të rrugës Skivjan-Novosellë, Lekaj tha se punimet e këtij segmenti rrugor, do të përfundojnë brenda 90 ditëve.
“Sot bashkë me deputeten, me bashkëpunëtorët, si dhe kandidatin për kryetar komune Ardian Gjini, jemi këtu për të inspektuar rrugën, Skivjan-Novosellë, me gjatësi prej 1.8 kilometra, ndërsa tërë projekti, ka vlerën prej 180 mijë euro, dhe punimet do të përfundojnë brenda 90 ditëve”, tha Lekaj.
Ndërsa ka kritikuar komunën ë Gjakovës, për mos interesim të inspektimit.
“ Ka qenë domosdoshmëri e mëhershme. E kam njoftuar zyrtarisht edhe komunën e Gjakovës se do të jem në ditë, në inspektim të projekteve rrugore të kësaj komune,nuk e dijë pse nuk kanë dalë për këto projekte që kanë impakt pozitiv për qytetarin, që i lidhin dy fshatra dhe që i frekuentojnë diku 3000 mijë banorë”, theksoi Lekaj, përcjell EkonomiaOnline.
Ai gjithashtu ka inspektuar rrugën Goden, e cila ka një vlerë prej 800 mijë euro dhe gjatësi prej 12 kilometrash dhe rrugën Damjan, që janë duke u punuar 5.7 kilometra rrugë, dhe projektet do të përfundojnë brenda 60 ditëve.
“Po ashtu do t’a inspektojmë edhe rrugën “Petro Nino Laurasi” e cila ka përfunduar por ende nuk është bërë pranimi teknik.
Ndërsa Ardian Gjini, kandidat për kryetar të komunës së Gjakovës, tha se Gjakova po kthehet në hartë të investimeve, të cilat kanë munguar për një kohë të gjatë.
“E falënderoj ministrin Lekaj, dhe kryeministrin Haradinaj që kanë kthyer realizimin e projekteve të mëdha në Gjakovë. Të gjitha projektet që i kemi paraparë do të jenë të realizuara, ndërkaq ndryshimet pozitive do të shihen shumë shpejt”, theksoi Gjini.