Reagon KOMF ndaj përfshirjes së fëmijëve në pritjen e kryetarit të Gjakovës

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka reaguar ndaj veprimit të menaxhmentit të shkollës fillore “Fehmi Agani” në Komunën e Gjakovës, për shfrytëzimin e fëmijëve për pritjen e kryetarit të Komunës së Gjakovës me datën 23 tetor 2018.

Sipas një njoftimit të KOMF, krahas shfrytëzimit të fëmijëve, është e papranueshme koha dhe procesi mësimor i humbur për përgatitje të fëmijëve si dhe presioni të cilit i nënshtrohen fëmijët për një ngjarje të tillë disa ditë me radhë.

“KOMF shpreh shqetësimin që mësimdhënësit në rastet e tilla shihen si përkrahës të individëve apo personave zyrtar dhe anashkalojnë rolin e tyre kyç të mësimdhënësit, në edukimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve i cili do të duhej të ishte primar ndaj çdo roli tjetër”, thuhet në njoftimin e KOMF-it.

“Ligji për Arsimin Parauniversitar i Republikës së Kosovës ndalon në mënyrë të prerë aktivitetet promovuese jashtë Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës në përfitim ose në dëm të çfarëdo partie politike, gjinie, përkatësie racore a etnike, feje ose pozite sociale nëpër institucionet arsimore dhe aftësuese”, thuhet tutje në këtë komunikatë drejtuar medieve.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të marrë menjëherë masat e parapara sipas legjislacionit në fuqi për sanksionimin e një veprimi të tillë i cili bie tërësisht ndesh me të drejtat dhe interesin më të mirë të fëmijës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme