Lekaj: Kurti fajtor për mosarritjen e marrëveshjes, AAK-ja e gatshme të sakrifikohet

Prishtinë | 22 Jan 2020 | 08:03 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vonesat në krijimin e Qeverisë dhe mosmarrëveshjet ndërmjet dy partivë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, po e dëmtojnë Kosovën.

Kështu thotë nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, i cili përgjegjës kryesor e bën kreun e VV-së, Albin Kurti.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë, se dy partitë që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit është dashur që për interes të shtetit të bëjnë sa më shpejt marrëveshje.

“Sa i përket ofertës për koalicion, mua më vjen keq që tani po kalojnë 100 ditë dhe nuk ka përafrim të dy subjekteve politike, dhe në këtë drejtim unë më tepër e fajësoj Albin Kurtin sepse është dashtë që kur të ulet në tavolinë dhe është dashtë që për interes të shtetit të bëjnë marrëveshje”, ka thënë Lekaj.

“Na kanë lodhur që 100 ditë duke thënë që ne e kemi përafruar programin politik dhe tani ka mbet vetëm ndarja e ‘pogaçes’ mes këtyre dy partive, dhe këtu ka hasur ‘sharra në gozhdë'”.

“Kjo nuk është mirë për Kosovën, sepse, na presin ditë të vështira; është dialogu, është integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tani të vonohen për interesa të klaneve të caktuara apo interesa personale. Mendoj se është e pakuptimtë”.

Lekaj ka saktësuar se AAK-ja nuk ka marrë ofertë për bashkëqeverisje, por thotë se nëse merr një gjë të tillë, do ta shqyrtojnë në organet e partisë.

“AAK-ja nëse merr ftesë do ta shqyrtojë dhe organet e partisë do ta thonë fjalën e vet. AAK-ja siç është produkt i luftës dhe i qytetarëve; na kanë përkrahur më shumë se 100 mijë qytetarë. Ne mendojmë se më tepër duhet të mendojmë për vendin, përforcimin e shtetit, për qytetarët sesa për një subjekt politik. Dhe çdo herë ka qenë zemërgjerë AAK-ja dhe mendoj që në këtë drejtim nuk do të jemi pengesë”, ka thënë Lekaj.

Mosmiratimi i buxhetit për këtë vit, është shqetësese edhe për gjithë punonjësit, thotë Lekaj. Por, ai thotë se se do ta bëjnë të pamundurën që qytetarët e Kosovës mos të mbesin pa paga.

“Po sa i përket buxhetit është një shqetësim edhe i kryeministrit Haradinaj por edhe i gjithë neve, por sidomos i qytetarëve dhe punonjësve që më 1 mars mund të mbesin pa paga. Ne nuk kemi menduar të vijmë deri te kjo situatë. Ramush Haradinaj e ka kthyer veten te qytetari për të dëshmuar se sovrani a është për ndryshim apo jo dhe në këtë drejtim dihet rezultati”.

“Por ajo që është shumë shqetësuese, është moskrijimi i qeverisë së Kosovës. Në këtë drejtim, ne do ta bëjmë të pamundur që qytetarët e Kosovës, mos të mbesin pa paga. Ne do të bëjmë një zgjidhje, qoftë e përkohshme duke u bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për Buxhet… Duhet që të gjitha subjektet politike, krerët institucionalë të mendojnë mirë dhe ta bëjnë një zgjidhje”, thotë ai.

Nënkryetari i AAK-së thotë se kjo parti është e gatshme për t’u sakrifikuar, siç shprehet ai, për të mirën e Kosovës.

“Mirëpo shpresoj që deri në mars do të krijohet qeveria. Unë nuk jam për zgjedhje, edhe pse ne jemi të përgatitur. Më tepër jemi për zgjidhje, dhe në këtë drejtim AAK-ja e ofron veten që mos të ketë vakum institucional apo krizë politike dhe çdo herë kemi qenë të gatshëm ta sakrifikojmë subjektin tonë për të mirën e Kosovës”, ka thënë Lekaj.

Të ngjashme