Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e kundërshtoi mendimin e deputetit Faton Topalli, i cili u shpreh i shqetësuar për çmimin e lartë të biletave të transportit ajror.
Sipas Lekajt, Kosova nuk e ka çmimin më të lartë në rajon të këtyre biletave, raporton Ekonomia Online.
“Bazuar në analiza lidhur me çmimet e biletave, Kosova nuk i ka biletat më të shtrenjta në rajon. Biletat janë 111% më të lira në vitin 2018, krahasuar me Shqipërinë, dhe 7 % më të shtrenjta se Maqedonia. Nëse do të kishte lëvizje të lirë të qytetarëve, atëherë do të rritej numri i kërkesave për bileta dhe do të ulej çmimi i biletave. Unë ju kuptoj dhe në këtë rast duhet të reagojë Qeveria e Kosovës nëse duhet të ulet çmimi i biletave, mirëpo ne nuk kemi ndonjë kompani avio-shtetërore që do të mund të ndërhynim”.
Pyetja e deputetit Topalli ishte se çka ka bërë qeveria për rregullimin e kushteve që biletat e avionit të jenë më të lira për bashkatdhetarët.
“Është një numër i madh i qytetarëve të cilët udhëtojnë jashtë dhe brenda vendit. Çfarë ka bërë qeveria në rregullimin e kushteve që biletat e bashkatdhetarëve të jenë më të lira”.