Nisma për Kosovën tashmë ka bërë të ditur se do ta formojë Grupin e vet Parlamentar. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do të ketë Grup të veçantë Parlamentar apo do të veproj në kuadër të Grupit Parlamentar të koalicionit parazgjedhor së bashku me PDK-në.
Por, ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë për lajmi.net se formimi i Grupeve të reja parlamentare nga partitë që janë pjesë e koalicionit PAN, nuk e rrezikojnë këtë koalicion.
“Po presim certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja dhe nuk kemi ndonjë vendim nga partia deri më tani sa i përket Grupit Parlamentar. Por kjo nuk do të thotë se me formimin e grupeve të veçanta prishte koalicioni dhe nuk shoh ftohje të raporteve në mes të partnerëve të koalicionit, apo ndonjë rrezik për prishje të koalicionit”, është shprehur Lekaj duke thënë se pas certifikimit të rezultateve do të dalin me vendim nga strukturat e partisë.
Kurse, i pyetur se a ka gjasa që edhe AAK të formoj Grup Parlamentar ndaras nga PDK-ja, Lekaj ka thënë se nuk beson, megjithatë ajo ka përsëritur qëndrimin se një gjë e tillë nuk do të paraqiste problem për funksionimin e koalicionit.
“Nuk besoj, nuk kemi marr qëndrim për këtë çështje, po kjo nuk do të thotë se prish punë sepse koalicioni vazhdon dhe nuk ka diçka që mund ta dëmtoj koalicionin parazgjedhor”, ka shtuar Lekaj.