Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka folur lidhur me qëndrimin e këtij subjekti parlamentar për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Lekaj ka deklaruar se do ta votojnë mocionin e mosbesimit të propozuar nga LDK, dhe këtë e bëjnë pasi Kryeministri Albin Kurti ua ofroi penalltinë për të shënuar gol lehtësisht, njofton Klan Kosova.
”Sa i përket seancës së nesërme ne jemi deklaruar me kohë që ne do të votojmë pro mocionit të mosbesimit të Qeverisë Kurti, këtë e bazojmë në veprimet e tij të fundit duke u nisur me prishjen e koalicionit me LDK-në”.
”Pastaj me veprimet adoleshente të Albin Kurtit për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, po ashtu edhe për prishjen e raporteve me SHBA-të, largimin e investimit më të madh të Contour Global, 1.3 miliardë Euro”.
”Shkurtimi i shumicës së buxheteve që vijnë nga kryetarë të AAK-së e shumë e shumë gjëra të tjera për të cilat ne si Aleancë nuk kemi menduar që të vijmë në këtë kohë në këtë situatë kur ne duhet ta menagjojmë koronavirusin e të merremi me shkarkimin e Qeverisë”.
”Shkaktari kryesor është zotri Kurti, dhe ne si Aleancë mund të them se do të votojmë pro – mocionit. Mund ta apostrofojë Glauk Konjufcën, kur e patën rrëzuar Isa Mustafën kur pati thënë: ”Na ka ardhë penallti, dhe ne si opozitë shumë lehtë shënojmë gol’’.
”Prandaj ne si Aleancë, me të vërtetë Albin Kurti me politikat joparimore, jo në drejtim në interes të qytetarëve na ka ofruar një penallti që opozita cdo herë shënon gol”.
A janë votat për shkarkimin e Qeverisë Kurti?
”Si AAK jemi të vendosur. Kemi thënë se kjo Qeveri është e mashtrimit. Pa marrë parasysh deputetët, ne si aleancë do ta votojmë. Ne sipas diskutimeve që kemi pasur mendojmë që 100% kjo Qeveri do të rrëzohet nesër. Sa i përket çka do të ndodhë më tutje, ne si AAK jemi në konsultim të brendshëm të partisë e së shpejti pastaj do informohet edhe opinioni publik’.
Por a rrezikohet vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme?
”Mendoj që zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion. Ne kemi një situatë mjaft të ndërlikuar dhe tëndjeshme ku kërkon maturi, dhe guxim. Është Kushtetuta që rregullon këto cështje. E kemi respektuar dhe e kemi obligim çdo herë ta respektojmë Kushtetutën e Kosovës”.
”Nëse i pari nuk i ka numrat, është në diskrecion të Presidentit të Kosovës që t’ia ofrojë partisë së dytë në këtë rast është LDK-ja. Ne nuk jemi për heqje të taksës pa dialoguar me SHBA-të dhe një kornizë të marrëveshjes. Kurti po bënë prapë mashtrime, ai e ka hequr taksën, duke e copëtuar vendimin e Qeverisë Haradinaj dhe në këtë drejtim i ka prishur raportet në pikën më të ulët me SHBA-të duke i dhënë përparësi Serbisë meqë e hoqi taksën pa njohje reciproke”.